Inteligjenca amerikane: Rusia po e shqyrton mundësinë e sjelljes së forcave të reja
Sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes, avancimet ruse në Ukrainë përgjithësisht kanë ngecur, shkruan transmetuesi britanik BBC. Sipas këtij zyrtari të lartë, ka tregues se Rusia po e shqyrton shkallën në të cilën do të duhet të sjellë trupa zëvendësuese nga jashtë Ukrainës për t’iu bashkuar luftës.
Ky zyrtar shtoi:
- Rusët kanë lëshuar mbi 980 raketa
- Ushtria ruse ka përdorur 75 për qind të totalit të batalioneve të saja taktike në këtë pushtim
- Në jug të Ukrainës, luftanijet ruse po granatojnë zonat përreth Odesës dhe ka rritje të aktivitetit detan në veri të Detit të Zi. Mariupoli është izoluar dhe sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi po kanë efekt vdekjeprurës
- Në veri, avancimet ruse përgjithësisht kanë ngecur pranë Kievit
- Shtetet e Bashkuara po bisedojnë me aleatët për sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore që ukrainasit dinë t’i përdorin – dhe mund të pritet që për sistemet e mbrojtjes ajrore të diskutohet gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin në Sllovaki dhe Bullgari
Papa dhe Patriarku ortodoks rus diskutojnë për luftën në Ukrainë
Patriarku Kirill i Kishës Ortodokse Ruse dhe Papa Françesku kanë biseduar për luftën në Ukrainë të mërkurën, tha zyra e Kirillit.
Kjo është biseda e parë e dy liderëve fetarë që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.
Patriarkati i Moskës përmes një deklarate tha se dy krerët fetarë kanë biseduar për “aspektet humanitare të krizës që po vazhdon” dhe për rëndësinë që të ketë bisedime të paqes.
Ata po ashtu kanë diskutuar “se çfarë veprimesh mund të marrin Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Katolike Romake për të kapërcyer pasojat e saj”, tha pala ruse.
Ndërkaq, në deklaratën e lëshuar nga Vatikani, për bisedën që është zhvilluar përmes video-lidhjes u tha se Papa i tha Kirillit se “ata që e paguajnë çmimin e luftës janë populli, ushtarët rusë dhe njerëzit që po bombardohen dhe po vdesin”.
Kirill, 75 vjeç, është një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Ai ka bërë deklarata në mbrojtje të veprimeve të Moskës në Ukrainë dhe ai e sheh luftën si një mburojë kundër një Perëndimi, që ai e konsideron dekadent, veçanërisht për shkak të pranimit të homoseksualitetit.
Ukraina: Është liruar kryetari i Melitopolit
Kryetari i Melitopolit, që u raportua se u rrëmbye nga forcat ruse pesë ditë më parë, është liruar, thanë këshilltarët e Presidencës ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Rusinë se ka hyrë “në një fazë të re të terrorit”, pasi Ukraina publikoi pamje që tha se ishte kryetari Ivan Dedorov, i cili po largohej nga forcat ruse, teksa atij i ishin mbyllur sytë.
Melitopoli ishte një prej qyteteve të para që ra nën kontrollin e forcave ruse, ndërkohë në vendin e tij është vënë një kryetar i ri. Qeveria ukrainase e ka akuzuar Rusinë se e ka rrëmbyer edhe kryetarin e qytetit të Dinprorudnes.
Pas njoftimit për lirimin e Fedorovit, zyrtarët ukrainas publikuan video të Zelenskyt duke i telefonuar kryetarit dhe duke i thënë se “më vjen mirë që dëgjoj zërin e një njeriu të gjallë”.
Ndërkaq, Fedorov dëgjohet duke e falënderuar presidentin “që nuk më ke braktisur”. Ai, po ashtu, dëgjohet duke thënë se i duheshin një ose dy ditë që ta merrte veten dhe më pas “do të jem nën komandën tuaj për të kontribuar në fitoren tonë”.
Teatri i sulmuar nga rusët
Në fotogalerinë e mëposhtme mund të shikoni disa fotografi të Teatrit të Mariupolit, që më 16 mars u godit nga sulmet ajrore ruse.
Autoritetet e qytetit thanë se ky teatër përdorej për strehimin e qindra civilëve, por shtuan se ende nuk e dinë nëse ka viktima, pasi e kanë të pamundur të dërgojnë ekipe, për shkak të granatimeve të vazhdueshme ruse në zonat përreth.