Ushtria ukrainase: Rusia ka sulmuar civilët gjatë evakuimit nga Mariupoli
Përveç bombardimit të një teatri, që përdorej për strehimin e civilëve, nga Mariupoli raportohet se ka ndodhur edhe një sulm tjetër ndaj civilëve.
Në një incident të ndarë, forcat e armatosura ukrainase, thanë se një konvoj me civilë që po tentonin të evakuoheshin nga qyteti i rrethuar, u sulmua me raketa nga forcat ruse.
Ushtria ukrainase tha përmes Facebook-ut se civilët ishin duke u larguar për në qytetin Zaporizhja, që gjendet mbi 200 kilometra larg Mariupolit.
Ushtria tha se sipas raportimeve të para ka viktima në mesin e civilëve, por nuk dha më shumë detaje.
Ndërkaq, Qeveria lokale në Zaporizhja tha se të paktën pesë persona janë plagosur, përfshirë edhe një fëmijë që është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kuleba: Teatri në Mariupol është shkatërruar plotësisht
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se sulmi i forcave ruse në Mariupol është “krim lufte”.
Ai tha se Teatri, që përdorej nga civilët për t’u strehuar, është shkatërruar plotësisht.
“Edhe një krim i tmerrshëm i luftës në Mariupol. Një sulm masiv mbi Teatrin, ku qindra civilë të pafajshëm po fshiheshin. Tani, kjo ndërtesë është shkatërruar plotësisht. Rusët nuk mund ta dinin se kjo ishte një strehimore për civilët. Shpëtoni Mariupolin! Ndaloni kriminelët rusë të luftës”.
Zyrtari ukrainas: Një teatër ku strehoheshin civilët është bombarduar
Zëvendëskryetari i qytetit ukrainas të Mariupolit, Serhiy Orlov, i tha transmetuesit britanik BBC se Rusia ka bombarduar një teatër.
Sipas tij, në këtë teatër po strehoheshin civilët.
Ai vlerësoi se 1,000 deri në 1,200 persona gjendeshin brenda këtij objekti. Ndërkaq, numri i viktimave është ende i panjohur.
Osmani dekoron kontingjentin ukrainas të KFOR-it
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale ushtarake kontingjentin ukrainas të KFOR-it.
Kjo medalje është ndarë për “kontributin e dhënë për më shumë se dy dekada për paqen dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
“Medalja e sotme është mirënjohje ndaj 1400 grave e burrave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të cilët shërbyen në Kosovë që nga viti 1999 në kuadër të forcave të NATO-s, por edhe vlerësim ndaj profesionalizmit dhe trimërisë të cilat kjo ushtri po i manifeston në këto kohë të errëta për popullin ukrainas dhe për gjithë kontinentin tonë”, shtoi presidentja Osmani.