GJND-ja urdhëron Rusinë që ta ndalë pushtimin e Ukrainës
Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara e ka urdhëruar Rusinë që ta ndalë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, teksa gjyqtarët thanë se ishin “thellësisht të shqetësuar” nga pushtimi i paprovokuar i Moskës, që nisi muajin e kaluar.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) publikoi vendimin më 16 mars, duke thënë se 13 gjyqtarë votuan për dhe dy kundër këtij vendimi. Ky urdhër jen pasi Kievi ka ngritur një rast për pretendimet ruse se Ukraina po kryen gjenocid në shtet, gjë që ishte edhe një prej preteksteve të Rusisë për të nisur pushtimin më 24 shkurt.
“Gjykata është e vetëdijshme për shtrirjen e tragjedisë njerëzore që po ndodh në Ukrainë. Gjykata është thellësisht e shqetësuar për përdorimin e forcës nga Federata Ruse në Ukrainë, që ngre çështje shumë serioze të së drejtës ndërkombëtare”, tha gjyqtarja Joan Donoghue gjatë leximit të vendimit të gjykatës.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Ukraina konfirmon vrasjen e dhjetë personave në Çernihiv
Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se dhjetë persona u vranë nga forcat ruse në qytetin verior të Çernihivit.
Në një deklaratë të publikuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, zyrtarët thanë se sulmi ndodhi rreth orës 10:00 sipas kohës lokale, kur “ushtarët rusë sulmuan njerëzit që po prisnin në radhë për të marrë bukë nga një dyqan ushqimor”.
Më herët gjatë ditës, Ambasada amerikane në Ukrainë njoftoi se dhjetë persona u vranë në Çernihiv, teksa po prisnin në radhë për bukë.
Putin: Rusia do të arrijë qëllimet në Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të mërkurën se Rusia do të arrijë qëllimet në Ukrainë dhe nuk do të zmbrapset para, siç tha ai, përpjekjeve të Perëndimit për të arritur dominimin global dhe shkatërrimin e Rusisë.
Putin tha se Rusia është e gatshme të diskutojë statusin neutral për Ukrainën, tri javë pas nisjes së luftës që ka lënë të vrarë mijëra persona dhe ka detyruar miliona ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ai tha se pushtimi, apo siç e quan Rusia “operacion të posaçëm ushtarak” po shkon “sipas planit”.
Gjatë një adresimi para Qeverisë, Putin po ashtu pranoi se sanksionet perëndimore po shkaktojnë dhimbje në ekonominë ruse, por ai tha se Rusia mund ta përballojë këtë goditje.
Gjatë fjalimit të tij nuk pati asnjë tregues se ai do të tërhiqej nga sulmi në Ukrainë, por as për ulje të tensioneve me Perëndimin.
“Në një të ardhme të parashikueshme, është e mundshme që regjimi pro-nazist në Kiev të posedojë armë të shkatërrimit në masë, dhe shënjestra e tij, sigurisht do të ishte Rusia”, tha Putin.
Për më shumë klikoni KËTU