Sullivan bisedon me homologun rus
Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, të mërkurën ka biseduar me homologun e tij rus, tha Shtëpia e Bardhë.
Biseda telefonike ndërmjet Sullivan dhe Sekretarit të Këshillit Kombëtar rus të Sigurisë, Nikolai Patrushev, shënon kontaktin e parë të nivelit të lartë ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë në javët e fundit.
Sullivan ka ripërsëritur “qëndrimin e vendosur dhe të qartë të SHBA-së në kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia”, u tha në deklaratë.
“Sullivan ka shpalosur zotimin e SHBA-së për të vazhduar vendosjen e kostove ndaj Rusisë, për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, për të forcuar krahun lindor të NATO-s, për të vazhduar koordinimin e plotë me aleatët dhe partnerët tanë. Sullivan i tha Patrushevit se nëse Rusia është serioze për diplomaci, atëherë Moska duhet të ndalojë së sulmuari qytetet ukrainase. Sullivan po ashtu e paralajmëroi Patrushevin lidhur me pasojat dhe implikimet e çdo vendimi të mundshëm rus për të përdorur armë kimike dhe biologjike në Ukrainë”, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Këshilli i Evropës zyrtarisht e përjashton Rusinë
Këshilli i Evropës tha se Komiteti i Ministrave zyrtarisht kanë vendosur ta përjashtojnë Rusinë nga ky trup për të drejtat e njeriut.
Kjo është hera e parë që një anëtar përjashtohet nga ky Këshill.
Këshilli i Evropës, me seli në Strasburg, tha përmes një deklarate më 16 mars se ka miratuar në mënyrë unanime mocioni “që thotë se Federata Ruse më nuk mund të jetë anëtare e organizatës”.
Ky vendim vjen në ditë pasi Rusia kishte njoftuar organizatën se do të tërhiqej, duke shtuar se “Federata Ruse pushon së qeni anëtare e Këshillit të Evropës nga sot, pas 26 vjetësh anëtare”.
Këshilli i Evropës e kishte pezulluar pjesëmarrjen e Rusisë më 25 shkurt, një ditë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejcinovic Buric, e ka përshkruar sulmin ndaj Ukrainës si “shkelje flagrante” të statusit të Këshillit të Evropës dhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, institucion të cilin Këshilli e mbikëqyrë.
Nëse jeni kyçur tani, më poshtë gjeni përmbledhjen e zhvillimeve kryesore të ditës së mërkurë.
- Në orët e mëngjesit, janë dëgjuar disa shpërthime në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
- OKB tha se 90 për qind e ukrainasve të rrezikuar nga varfëria nëse zgjatet lufta.
- Deri më tani, rreth 20,000 civilë kanë arritur të largohen me vetura private nga qyteti i Mariupolit.
- Në një vlerësim të përditshëm të gjendjes së pushtimit rus, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se pushtimi rus nuk ka përparim.
- Prokurorja e Përgjithshme ukrainase tha të mërkurën se 103 fëmijë janë vrarë deri më tani në luftën në Ukrainë që ka nisur më 24 shkurt.
- Harkivi i Ukrainës, krahas bombardimeve po përballet edhe me luftën kundër COVID-19.
- Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, tha se është skeptike për bisedimet e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
- Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, tha se “bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës nuk janë të lehta, por ka shpresë për kompromis.
- Liderët e Evropës Qendrore përshëndesin “luftën e guximshme” të Ukrainës.
- Të paktën 500 banorë të Harkivit janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
- Ambasada amerikane në Ukrainë ka njoftuar të mërkurën se forcat ruse qëlluan dhe vranë 10 persona në qytetin verior të Çernihiv, të cilët po prisnin në radhë për bukë.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalimit drejtuar Kongresit Amerikan tha “kemi nevojë për ju, tani”.
Ylli ukrainas i futbollit planifikon të marrë refugjatë në shtëpi
Ish-futbollisti ukrainas, Andriy Shevchenko, tha se do të pranojë familje refugjatësh në shtëpinë e tij në Surrey, pasi synon të mbështesë 150 ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar.
Shevchenko, që gjatë karrierës së tij ka luajtur në Angli te Chelsea dhe në Itali te AC Milan, gjithashtu është duke tentuar të mbledhë 1 milion euro për vendin e tij.
Ai tha për BBC-në se ka folur me ambasadorin e Ukrainës në Angli dhe shpreson të presë disa familje në shtëpinë e tij.
“Kjo është një situatë me të cilën po përballen qindra e mijëra familje në Ukrainë dhe ne duhet të marrim një vendim”, tha ai.
Shevchenko ka falënderuar njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën për mbështetjen e tyre për Ukrainën.