Të paktën 500 banorë të Harkivit të vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë
Zyrtarë ukrainas kanë njoftuar të mërkurën se të paktën 500 banorë të Harkivit janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe është nën bombardime intensive gjatë javëve të fundit.
Dy persona humbën jetën kur predha ruse goditën blloqet e apartamenteve shumëkatëshe në një lagje të qytetit, tha shërbimi i urgjencës.
OKB ka vlerësuar se të paktën 691 civilë janë vrarë deri më tani, ndërsa 1,143 të tjerë janë plagosur në të gjithë Ukrainën.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë martuar më shumë se 10,000 çifte
Ministria e Drejtësisë në Kiev tha se që nga fillimi i luftës pothuajse tre javë më parë, 10,683 çifte në të gjithë Ukrainën janë martuar.
“Lufta në po vazhdon, por jeta nuk ndalet”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se që nga 24 shkurti kanë lindur mbi 10 mijë fëmijë.
Liderët e Evropës Qendrore përshëndesin “luftën e guximshme” të Ukrainës
Udhëheqësit e tre vendeve të Evropës Qendrore kanë lavdëruar Ukrainën për “luftën e saj të guximshme” kundër forcave pushtuese ruse, pasi përfunduan një udhëtim në Kiev në shenjë solidariteti me qytetin e rrethuar dhe presidentin e Ukrainës.
Vaclav Smolka, zëdhënës i kryeministrit çek Petr Fiala, postoi në Twitter një foto të kryeministrit çek më 16 mars, me një jelek mbrojtës dhe me helmetë.
Petr Fiala dhe kryeministrat e Polonisë dhe Sllovenisë shkuan në Kiev një ditë më parë për të parë nga afër shkatërrimin dhe për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Kjo ishte vizita e parë në qytet nga udhëheqës të huaj që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
Për më shumë lexoni këtu.
Lavrov: Bisedimet e paqes jo të lehta, por ka shpresë për kompromis
Bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës nuk janë “të lehta”, por ka “shpresë për kompromis”, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.
“Unë flas nga vlerësimet e bëra nga negociatorët tanë”, tha Lavrov.
“Ata thonë se negociatat nuk janë të lehta për arsye të dukshme. Por megjithatë, ka njëfarë shprese për të arritur një kompromis”, citon Reuters të ketë thënë Lavrov gjatë një interviste me gazetën RBC.
Lavrov tha se problemet nuk kanë të bëjnë vetëm me neutralitetin dhe çmilitarizimin e Ukrainës, por edhe me sigurinë për njerëzit në Ukrainën lindore – ku janë zonat e Donjeck dhe Luhansk të kontrolluara nga rebelët.