OKB: Mbi 3 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina
Numri i refugjatëve ukrainas që kanë ikur nga lufta, tani ka shkuar në 3,000,381, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
Aty përfshihen 1.8 milion ukrainas që gjenden në Poloni dhe 300,000 që janë nisur drejt Evropës Perëndimore.
Refugjatët kanë ikur nga qytetet e sulmuara prej forcave ruse.
Në 20 ditët e luftës, OKB-ja ka thënë se janë regjistruar 691 viktima civile dhe 1,143 të plagosur.
Pentagoni: Nuk ka përparim të dukshëm të forcave ruse
Pentagoni ka thënë se forcat ruse vazhdojnë të bëjnë pak përparim në Ukrainë, 20 ditë pas nisjes së pushtimit.
Mirëpo disa qytete të mëdha po përballen me bombardime të mëdha, sipas një zyrtari të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Një konvoj me trupa ruse vazhdon të jetë 20 kilometra larg Kievit, ku, sipas zyrtarit, civilët po përballen me më shumë sulme.
Rusët vazhdojnë të hasin në rezistencë për të marrë Harkivin – qytetin e dytë më të madh të Ukrainës dhe Mikollaivin, qytetin jugor afër Detit të Zi.
Megjithatë, forcat pushtuese kanë izoluar Çernihivin në veri dhe Mariupolin në juglindje, ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Ukraina është duke punuar për të mbajtur të hapura linjat e komunikimit me liderët lokalë.
Sipas këtij zyrtari amerikan, rusët dhe ukrainasit kanë shfrytëzuar 90 për qind të fuqisë së tyre ushtarake.
Më shumë armë të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara pritet të dërgohen në Ukrainë në 24 orët e ardhshme, ka thënë ai.
Rusia thotë se ka ndihmuar në evakuimin e civilëve
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se trupat ruse kanë ndihmuar në evakuimin e civilëve të bllokuar në luftimet në Ukrainë, duke i drejtuar për në pjesën perëndimore të shtetit në 24 orët e fundit.
Mikhail Mizintsev, udhëheqës i Qendrës së Kontrollit të Mbrojtjes në Rusi, ka thënë që më shumë se 36,000 njerëz janë evakuuar “falë masave të pashembullta të sigurisë që janë marrë nga Forcat e Armatosura të Rusisë”.
Ai ka shtuar se evakuimi i qytetarëve ukrainas në Rusi është duke vazhduar.
Ky zyrtar ka përsëritur pretendimet se forcat ukrainase po pengojnë përpjekjet për evakuim.
Gati tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, për shkak të pushtimit rus, sipas Kombeve të Bashkuara.
Sipas OKB-së, vlerësohet se 1.85 milion njerëz janë të zhvendosur brenda Ukrainës.
Kryeministrat e Çekisë, Polonisë dhe Sllovenisë arrijnë në Kiev
Kryeministrat e Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovenisë, kanë arritur të martën, 15 mars, në Kiev, për të treguar mbështetje për Ukrainën, teksa vazhdojnë sulmet ruse në këtë shtet.
“Neve na duhet të ndalim këtë tragjedi, që po ndodh në lindje, sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se liderët kanë arritur në kryeqytetin ukrainas.
Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë përmes një postimi në Twitter se të tre liderët do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin ukrainas, Denis Shmyhal.
“Qëllimi i vizitës është që të shprehet mbështetja e Bashkimit Evropian për Ukrainën, për lirinë dhe pavarësinë e saj”, ka thënë Fiala.
Fiala, Morawiecki dhe kryeministri slloven, Janez Jansha kanë udhëtuar me tren deri në Kiev, qytet i cili është duke u bombarduar nga forcat ruse.
Forcat ruse kanë shtuar sulmet gjatë natës në disa lagje të Kievit, në kuadër të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.