Negociatat Ukrainë-Rusi vazhdojnë të mërkurën
Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podoliak, ka thënë se negociatat për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë do të vazhdojnë të mërkurën, 16 mars.
“Proces shumë i vështirë i negociatave. Ka kontradikta, mirëpo ka hapësirë për kompromise”, ka thënë ai.
Rundi i së martës, bashkë me disa runde tjera nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar takim të drejtpërdrejtë me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës.
Kremlini, në anën tjetër, ka thënë se nuk ka marrë ndonjë kërkesë të tillë zyrtare.
Kompanitë e ilaçeve nisin të largohen nga Rusia
Një listë në rritje e kompanive të Perëndimit për prodhim të ilaçeve janë duke u larguar nga Rusia, teksa pushtimi rus hyn në javën e tretë.
Novartis ka pezulluar të gjitha investimet dhe aktivitetin e saj, si dhe do të bëjë donacion tre milionë dollarë për organizata të ndryshme joqeveritare.
Eli Lilly ka thënë se ka ndalur investimet, promocionet dhe testimet klinike, si dhe eksportimin e ilaçeve jo të domosdoshme.
AbbVie, Bayer, Bristol Myers Squibb, Pfizer dhe Sanofi kanë njoftuar po ashtu se do të ndalin operacione të caktuara në këtë shtet.
Kryqi i Kuq: Mijëra persona të evakuuar nga rajoni Sumi
Më shumë se 100 autobusë të mbushur me mijëra civilë janë larguar nga qyteti i rrethuar ukrainas, Sumi, ka thënë Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Qyteti Sumi është i rrethuar nga trupat ruse dhe ka qenë shënjestër e bombardimeve vdekjeprurëse dhe sulmeve ajrore në ditët e fundit.
Evakuimi është duke u organizuar bashkërisht nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Kryqi i Kuq ukrainas.
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka thënë se Rusia ka dhënë dritën e gjelbër për evakuimet, mirëpo autobusët mund të mos shkojnë në mënyrë të sigurt në qytetin Poltava në qendër të Ukrainës.