Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
15:18 15.3.2022

Rreth 90 mijë njerëz në Britani kanë shprehur interesim për strehim të refugjatëve ukrainas

Të hënën, 14 mars, Qeveria britanike ka prezantuar skemën e re të refugjatëve, duke iu mundësuar njerëzve në Mbretëri të Bashkuar që të strehojnë refugjatët ukrainas.

Qeveria do t’iu ndihmojë britanikëve me 350 funta në muaj, për secilin person që strehojnë.

Të dhënat e 15 marsit kanë treguar se 88,712 njerëz kanë shprehur interesim për strehim në faqen qeveritare.

Rreth 4,600 viza u janë garantuar ukrainasve deri të hënën, ka thënë Zyra e Jashtme britanike.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare, 17,600 njerëz kanë aplikuar për viza.

14:58 15.3.2022

OKB: Gati një fëmijë bëhet refugjat çdo sekondë

Rreth 1.4 milion fëmijë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, thanë Kombet e Bashkuara.

Sipas tyre, kjo do të thotë se gati një fëmijë në sekondë bëhet refugjat.

“Mesatarisht, çdo ditë gjatë 20 ditëve të fundit në Ukrainë, më shumë se 70,000 fëmijë janë bërë refugjatë”, tha për gazetarër në Gjenevë James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF.

“Kjo krizë, sa i përket shpejtësisë dhe shkallës, është e paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai.

Më herët, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin bëri të ditur se numri i të zhvendosurve nga Ukraina ka kaluar tashmë 3 milionë.

14:40 15.3.2022

A është e jashtëligjshme që të huajt të luftojnë për Ukrainën?

Teksa mijëra qytetarë të huaj po shkojnë në Ukrainë në mënyrë vullnetare, me qëllim që t’i ndihmojnë këtij shteti të mbrojë veten nga pushtimi rus, disa prej tyre mund të përballen me pasoja ligjore kur të kthehen në shtetet e tyre.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor sanksionojnë pjesëmarrjen në konflikte apo luftëra të huaja.

Në Kosovë, shembull, që prej vitit 2015 ndalohet bashkëngjitja në konflikte të armatosura jashtë vendit. Qytetarët e Kosovës mund të dënohen deri në 15 vjet burgim nëse marrin pjesë në një konflikt të armatosur jashtë territorit të shtetit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

14:25 15.3.2022

Sanksione të reja kundër rusëve

Mbretëria e Bashkuar sanksionoi të martën edhe 370 individë dhe subjekte ruse, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga regjimi rus.

Disa nga emrat e rinj në listën e të sanksionuarve janë:

  • Dmitry Medvedev, president i Rusisë (2008-2012), kryeministër (2012-2020) dhe kryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë (nga viti 2020)
  • Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit
  • Sergei Shoigu, ministër i Mbrojtjes
  • Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse
  • Margarita Simonyan, kryeredaktore e kanalit të lajmeve RT, i cili mbështetet nga shteti rus
  • Pyotr Aven, bashkëthemelues i bankës më të madhe të investimeve në Rusi, Alfa-Bank

Sanksionet nënkuptojnë ngrirjen e aseteve të tyre dhe ndalesa në udhëtim.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG