Vazhdojnë bisedimet
Bisedimet për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës janë në zhvillim e sipër, tha negociatori ukrainas, Mihailo Podolyak, në një postim në Twitter.
Pa dhënë shumë detaje, ai përmendi “armëpushimin” dhe “tërheqjen e trupave” ruse nga territori i Ukrainës - me sa duket - si kërkesa të Ukrainës.
Palët kanë zhvilluar dje edhe një rund negociatash, por e kanë ndërprerë për, siç kanë thënë, çështje teknike.
Të dyja delegacionet kanë dhënë shenja për përparim në bisedime, por, deri më tash, nuk ka diçka konkrete.
Ukraina: Tre gazetarë të vrarë, dhjetëra të plagosur
Tre gazetarë janë vrarë dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur në Ukrainë, qëkur Rusia ka nisur pushtimin, më 24 shkurt, tha të martën shefja e të drejtave të njeriut në Parlamentin ukrainas, Lyudmyla Denisova.
“Së paku 35 gazetarë janë bërë viktima” të forcave ruse, përfshirë tre të vdekur, tha ajo.
Gazetari amerikan, Brent Renaud, u qëllua për vdekje të dielën në periferi të Kievit.
Gazetari ukrainas, Evgeny Sakun, u vra nga sulmi në një kullë televizive në Kiev, ndërsa Viktor Dudar, një tjetër ukrainas, u vra në luftimet pranë qytetit jugor, Mikollaiv.
Denisova tha se disa gazetarë, përfshirë britanikë, danezë dhe zviceranë, janë plagosur në dhunë.
Zelensky: Disa vende të NATO-s janë të hipnotizuara nga Rusia
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shprehu zhgënjimin e tij me aleancën ushtarake të NATO-s, pas refuzimit të kësaj të fundit për të vendosur zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
Përmes një video-lidhjeje, Zelensky foli të martën me kryeministrin britanik, Boris Johnson, dhe përfaqësues të vendeve të tjera në Forcën e Përbashkët të Ekspeditës.
NATO-ja është “aleanca më e fortë në botë”, por “disa nga anëtarët e kësaj aleance janë të hipnotizuar nga agresioni rus”, tha Zelensky.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës qysh më 24 shkurt dhe Zelensky ka kërkuar disa herë nga NATO-ja që të vendosë zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
NATO-ja ka refuzuar, duke thënë se një veprim i tillë do të mund ta përshkallëzonte konfliktin në përmasat e një lufte të tretë botërore.
“Dëgjojmë shumë biseda për luftën e tretë botërore, se gjoja mund të fillojë nëse NATO-ja mbyll qiellin e Ukrainës për raketat dhe avionët rusë”, tha Zelensky.
Por kjo, shtoi ai, “i lejon ushtrisë ruse të bombardojë qytetet paqësore” dhe “të hedhë në erë blloqe banimi, spitale dhe shkolla”.
“Katër ndërtesa shumëkatëshe në Kiev, herët në mëngjes, janë bombarduar. Dhjetëra të vdekur”, tha ai.
Ushtria ruse ka intensifikuar sulmet në Kiev, në përpjekje për të marrë nën kontroll kryeqytetin e Ukrainës.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se katër persona janë konfirmuar të vrarë pas sulmeve ajrore që goditën qytetin gjatë natës.
Klitschko: Katër të vrarë nga sulmet në Kiev
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se katër persona janë konfirmuar të vrarë pas sulmeve ajrore që goditën qytetin gjatë natës.
“Ekipet e shpëtimit janë ende duke i shuar flakët që nga mëngjesi i hershëm”, tha Klitschko.
Fillimisht, shërbimet e urgjencës në Ukrainë raportuan për vdekjen e dy personave nga sulmet ruse në Kiev.
Ushtria ruse ka intensifikuar granatimet nga ajri, në përpjekje për të marrë kontrollin e kryeqytetit të Ukrainës.