Serbia paralajmëron eksporte të grurit në Ballkanin Perëndimor
Sasi të grurit dhe misrit do të eksportohen në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, paralajmëroi të martën Ministria e Bujqësisë e Serbisë, përkundër ndalesës së vendosur ditë më parë.
Njoftimi u bë pas një takimi që zhvilluan në Beograd ministri i Bujqësisë i Serbisë, Branisllav Nedimoviq, dhe ministrja e Bujqësisë e Shqipërisë, Frida Krifca.
Në komunikatën për media thuhet se vendet e nismës “Ballkani i Hapur”, si dhe vendet e tjera fqinje, “mund të llogarisin te Serbia si një partner i besueshëm, në kohën e sfidave të mëdha në sektorin ushqimor”.
Përfaqësuesit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që përbëjnë nismën “Ballkani i Hapur”, kanë planifikuar të mbajnë një takim të ri në mes të marsit, por e kanë shtyrë atë për në maj, për shkak të, siç është thënë, luftës në Ukrainë.
Një ditë më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do të lejojë eksportin e grurit të kontraktuar në Shqipëri sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shtoi se e njëjta gjë do të vlejë për çdo vend të rajonit.
“Serbia ka mjaft, e kjo do të thotë se ka mjaft edhe për vendet e rajonit”, tha Vuçiq.
Më 10 mars, Serbia ka pezulluar eksportet e grurit, miellit, misrit dhe vajit, për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.
Për më shumë, lexoni këtu.
Bombardimet në Kiev
Zjarrfikësit kanë luftuar me flakët në një ndërtesë banimi në kryeqytetin e Ukrainës, pas një varg sulmesh ruse me artileri.
Një raketë është parë mbi qiellin e Kievit, në mëngjesin e hershëm të 15 marsit, ndërsa kanë pasuar një vezullim i madh dhe shpërthime të zhurmshme.
Udhëheqësit evropianë udhëtojnë me tren drejt Kievit
Kryeministrat e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë janë duke udhëtuar me tren për në Kiev, për bisedime me presidentin dhe kryeministrin e Ukrainës.
Ata janë duke udhëtuar si përfaqësues të Bashkimit Evropian, tha shefi i zyrës së kryeministrit polak, Michal Dworczyk.
Vizita u organizua gjatë samitit të fundit të BE-së në Versajë, tha ai.
Tre liderët, të cilët shoqërohen edhe nga kreu i partisë qeverisëse të Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, do të paraqesin një paketë të gjerë të mbështetjes së BE-së për Ukrainën, tha Dworczyk.
Treni i tyre ka kaluar kufirin polako-ukrainas para mesditës.
Dworczyk përsëriti se NATO-ja nuk do të angazhohet ushtarakisht në luftë, por do të bëjë gjithçka që mundet për ta ndihmuar Ukrainën kundër sulmit rus.
IOM: Numri i refugjatëve ukrainas kalon 3-milionshin
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tha se më shumë se 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj më 24 shkurt.
Zëdhënësi i IOM-it, Paul Dillon, tha në një konferencë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, se totali është përpiluar nga shifrat e dhëna nga autoritetet kombëtare.
Agjencia e OKB-së për refugjatë, UNHCR, tha se Polonia strehon më shumë se gjysmën e refugjatëve ukrainas: mbi 1.8 milion.
Zëdhënësi i UNHCR-së, Matthew Saltmarsh, tha se shumica e refugjatëve janë gra dhe fëmijë.
Destinacione të tyre janë edhe vendet e tjera fqinje të Ukrainës, si: Rumania, Moldavia dhe Sllovakia.
Sipas UNHCR-së, rreth 300,000 refugjatë kanë lëvizur prej atje drejt Evropës Perëndimore.