Jahti i lidhur me Abramovichin largohet nga Mali i Zi
Një jaht i lidhur me miliarderin rus, Roman Abramovich, u largua nga Mali i Zi më 14 mars, pas dy ditësh qëndrimi në Gjirin e Tivatit.
Sipas ueb-faqes që monitoron lëvizjen e anijeve “Marine Traffic”, jahti i Abramovichit “My Solar” ka lundruar drejt Stambollit në Turqi.
Jahti, në vlerë prej gati gjysmë miliardi eurosh, lundroi në Mal të Zi më 12 mars, pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi t’iu ngrijë asetet disa oligarkëve rusë, që besohet se kanë lidhje me Kremlinin.
Perëndimi ka miratuar një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, qëkur kjo e fundit ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Në mesin e të sanksionuarve nga Mbretëria e Bashkuar është edhe Abramovich, njëherësh pronar i klubit të futbollit, Chelsea.
Emri i Abramovichit është gjetur edhe në listën e të sanksionuarve të rinj, që ka publikuar të martën Bashkimi Evropian.
Mali i Zi gjithashtu ka vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe ka thënë se ndjek vendimet e politikës së jashtme të BE-së në këtë aspekt.
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka thënë për mediat në Podgoricë se jahti “My Solar” nuk ka qenë i regjistruar zyrtarisht në emër të Abramovichit.
Një gazetar britanik plagoset në Ukrainë
Një gazetar britanik, që punon për kanalin Fox News në SHBA, është plagosur gjatë raportimit për luftën në Ukrainë, bëri të ditur rrjeti televiziv.
Fox konfirmoi se Benjamin Hall është në spital pas një incidenti që ka pësuar jashtë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.
“Kjo është një kujtesë e ashpër për të gjithë gazetarët që vënë në rrezik jetën e tyre, për të dhënë lajme nga një zonë lufte”, tha shefja ekzekutive e Fox-it, Suzanne Scott.
Hall, 39 vjeç, i është bashkuar Fox-it në vitin 2015.
BE miraton edhe një rund sanksionesh kundër Rusisë
Bashkimi Evropian miratoi të martën një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Sanksionet përfshijnë ndalesa të investimeve në sektorin energjetik rus, në eksportet e mallrave luksoze dhe në importet e produkteve të çelikut nga Rusia.
Sanksionet, që hyjnë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së gjatë ditës së sotme, ngrijnë edhe asetet e shumë udhëheqësve të biznesit, që mbështesin shtetin rus - në mesin e tyre edhe pronari i klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich.
Burime të BE-së i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se sanksionet do të godasin kompanitë kryesore të naftës në Rusi - Rosneft, Transneft dhe Gazprom Neft - edhe pse vendet anëtare të BE-së do të mund të vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz prej tyre.
Sanksionet e fundit pasojnë tri runde të tjera sanksionesh, të cilat kanë përfshirë ngrirjen e aktiviteteve të Bankës Qendrore të Rusisë dhe përjashtimin nga sistemi bankar SWIFT i disa bankave ruse dhe bjelloruse.
Forcat e armatosura të Ukrainës: Katër helikopterë rusë u rrëzuan
Lufta në Ukrainë hyri sot në ditën e njëzetë. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës dha raportin e përditshëm të mëngjesit, ku, mes tjerash, tha:
- Forcat ruse mbeten të fokusuara në ruajtjen e fitoreve të tyre në territorin ukrainas dhe nuk kanë arritur të bëjnë përparime të mëtejshme.
- Trupat ruse, megjithatë, kanë vazhduar të kryejnë sulme me raketa dhe bombardime në infrastrukturën kritike të Ukrainës.
- Ushtarët rusë kanë përdorur objektet e kujdesit shëndetësor në territoret e pushtuara, për të trajtuar personelin e plagosur.
- Katër helikopterë, një avion dhe një raketë lundruese, që i përkisnin Rusisë, janë goditur nga forcat ukrainase.
- Njësitë ukrainase kanë arritur të shmangin përpjekjet ruse për të kapur qytetin port të Mariupolit.
- Gjendja morale dhe psikologjike e trupave ruse “mbetet e dobët”. Ushtarakët rusë duket se refuzojnë të pranojnë komanda.
REL nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.