Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
09:59 15.3.2022

Përshëndetje për të gjithë ju që sapo jeni kyçur në blogun e Radios Evropa e Lirë!

Disa nga zhvillimet e fundit janë:

  • Forcat ruse kanë bombarduar disa lagje të Kievit, përfshirë ndërtesa të banimit. Së paku dy persona janë konfirmuar të vrarë.
  • Korridoret e evakuimit janë planifikuar të qëndrojnë hapur nga ora 09:00 deri në 21:00 - sipas kohës lokale - në rajonin verilindor Sumi, ka njoftuar administrata shtetërore rajonale.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se negociatat për paqe midis vendit të tij dhe Rusisë vazhdojnë sot.
  • Kryeministrat e Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovenisë do të udhëtojnë sot në Kiev, për të shfaqur mbështetjen “e qartë” për Ukrainën. Ata pritet të takojnë presidentin dhe kryeministrin e Ukrainës.
  • Një këshilltar i Qeverisë ukrainase ka thënë se pret që lufta të përfundojë në fillim të majit. “Unë mendoj se jo më vonë se në maj, në fillim të majit, do të duhet të kemi një marrëveshje paqeje”, ka thënë Oleksiy Arestovich.
09:45 15.3.2022

Zelensky: Bisedimet janë duke shkuar “shumë mirë”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se bisedimet e paqes me Rusinë - tani në rundin e tyre të katërt - do të vazhdojnë të martën në Turqi.

Në një video-adresim të postuar në Facebook, ai tha se është informuar se bisedimet janë duke shkuar “shumë mirë”.

“...por, le të shohim”, shtoi ai.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Zelensky po ashtu tha se forcat pushtuese ruse janë “të hutuara” dhe se “nuk kanë pritur një rezistencë të tillë nga Ukraina”.

“Ato ikin nga fusha e betejës. I braktisin pajisjet”, tha Zelensky.

“Ne i marrim pajisjet dhe i përdorim për të mbrojtur Ukrainën. Sot, trupat ruse janë në fakt një prej furnizuesve të ushtrisë sonë”, shtoi ai.

Zelensky falënderoi po ashtu civilët rusë, që, siç tha, protestojnë dhe përpiqen të përhapin të vërtetën rreth luftës.

09:33 15.3.2022

Tre kryeministra evropianë udhëtojnë drejt Kievit

Kryeministrat e Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovenisë do të udhëtojnë sot në Kiev, për të shfaqur mbështetjen “e qartë” për Ukrainën, e cila ndodhet nën pushtimin rus.

Kryeministri çek, Petr Fiala, tha në një postim në Twitter se tre liderët do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrin Denis Shmyhal.

“Qëllim i vizitës është të shprehim mbështetjen e qartë të Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe lirinë dhe pavarësinë e saj”, tha Fiala.

“Në të njëjtën kohë, ne do të paraqesim një paketë të gjerë mbështetjeje për Ukrainën dhe qytetarët e saj. Komuniteti ndërkombëtar është informuar për këtë vizitë edhe nga organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara”, shtoi Fiala.

Kryeministri çek, Petr Fiala.
Kryeministri çek, Petr Fiala.

09:22 15.3.2022

Avioni i lidhur me Abramovichin ateron në Moskë

Një avion që ka lidhje me oligarkun rus, Roman Abramovich, njëherësh pronar i klubit të futbollit “Chelsea”, ka ateruar në Moskë, raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar të dhëna nga një shërbim i gjurmimit të fluturimeve.

Avioni u ngrit nga Izraeli dhe u ndal për pak kohë në Turqi, gjatë rrugës së tij për në Rusi, tregojnë të dhënat e FlightRadar24.

Abramovich, i cili gjithashtu ka nënshtetësi izraelite dhe portugeze, u pa në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit të hënën, shkruan Reuters.

Roman Abramovich
Roman Abramovich

Ai është sanksionuar nga Britania e Madhe javën e kaluar, për shkak të lidhjeve të tij me presidentin rus, Vladimir Putin.

Bashkimi Evropian e ka ndjekur shembullin.

Abramovich ka mohuar të ketë lidhje të ngushta me Putinin.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG