Dy të vrarë nga bombardimet në Kiev
Dy persona u vranë nga një sulm ajror që goditi një ndërtesë banimi në Kiev, njoftoi Shërbimi i Emergjencës Shtetërore i Ukrainës.
Sipas tij, 35 persona të tjerë u shpëtuan.
Administrata shtetërore e qytetit të Kievit doli me një listë të ndërtesave në kryeqytetin ukrainas, që tha se janë dëmtuar nga bombardimet gjatë natës:
- Dy ndërtesa banimi me nëntë dhe 16 kate në rrethin Sviatoshinski
- Një ndërtesë banimi 10-katëshe në rrethin Podillski
- Një shtëpi private në rrethim Darnitski
- Pjesë e stacionit të metrosë Lukianivska.
Këshilltari ukrainas: Lufta duhet të përfundojë deri në maj
Një këshilltar i Qeverisë së Ukrainës tha se pret që lufta në vendin e tij të përfundojë më së voni deri në fillim të majit, kur Rusisë “t’i mbarojnë burimet” për të sulmuar fqinjin e saj.
“Unë mendoj se jo më vonë se në maj, në fillim të majit, do të duhet të kemi një marrëveshje paqeje”, tha Oleksiy Arestovich.
Në muajt në vazhdim, shtoi ai, mund të ndodhin dy skenarë:
“Ose do të arrihet një marrëveshje paqeje shumë shpejt, brenda një ose dy javësh, me tërheqjen e trupave [ruse] dhe gjithçka... ose do të bëhen përpjekje për t’i mbledhur - le të themi - disa sirianë për një rund të dytë [luftimesh]”.
“Kur t’i shkatërrojmë edhe ata, marrëveshja [do të arrihet] deri në mes të prillit ose në fund të prillit”, tha Arestovich.
Pentagoni ka pohuar më herët se rusët po përpiqen të rekrutojnë sirianë për të luftuar në Ukrainë - edhe pse kjo nuk është verifikuar.
Arestovich nuk është i përfshirë personalisht në bisedimet për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë.
Rusia paralajmëron sulme në industrinë e mbrojtjes në Ukrainë
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se do të sulmojë kompanitë e industrisë së mbrojtjes në Ukrainë, në përgjigje të, siç tha, një “sulmi me raketa balistike” në bastionin separatist të Donjeckut, të hënën pasdite.
“Në përgjigje të bombardimit të Donjeckut me një raketë Tochka-U, forcat e armatosura ruse do të marrin masa operacionale për t’i nxjerrë jashtë përdorimit ndërmarrjet ukrainase të industrisë së mbrojtjes, të cilat prodhojnë armë të përdorura nga nacionalistët”.
“U bëjmë thirrje qytetarëve ukrainas që punojnë në këto ndërmarrje, si dhe banorëve të shtëpive pranë, që të largohen nga zonat potencialisht të rrezikshme”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes në një postim online.
Sipas zyrtarëve rusë, 20 civilë janë vrarë në sulmin ajror të Ukrainës në rajonin separatist të Donjeckut.
Ukraina e mohoi kryerjen e sulmit dhe tha se përgjegjëse për të është një raketë ruse.
Stacioni i metrosë së Kievit dëmtohet nga shpërthimi
Rrjeti i metrosë së Kievit tha se një nga shpërthimet që goditi kryeqytetin e Ukrainës këtë mëngjes, dëmtoi fasadën e stacionit Lukianivska dhe zyrat e tij.
Lukianivska është mjaft afër qendrës së Kievit.
Stacioni është mbyllur për shkak të dëmtimit.