Biden premton më shumë armë e para për Ukrainën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se do të vazhdojë furnizimin e Ukrainës me armë, ushqime dhe para.
Në një postim në Twitter, Biden tha se SHBA-ja do t’i mirëpresë edhe refugjatët ukrainas me krahë hapur.
Ai tha të hënën se SHBA-ja po siguronte “dhjetëra mijëra tonë furnizime humanitare” për Ukrainën, në baza ditore.
Javën e kaluar, Biden nënshkroi një paketë shpenzimesh emergjente, që parashikon 13.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën - rreth gjysma e tyre ndihmë ushtarake.
Mediat amerikane raportuan se administrata Biden po shqyrton edhe përshpejtimin e procedurave të imigracionit për ukrainasit e zhvendosur nga lufta, që kanë lidhje me SHBA-në.
Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar fuqishëm pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe kanë ndërmarrë një varg sanksionesh kundër Rusisë - përfshirë ndalimin e importeve të naftës së saj.
Në një fjalim drejtuar kombit këtë muaj, Biden ka thënë se homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të paguajë “çmim të lartë” për pushtimin.
Kryeqyteti i Ukrainës gdhihet nën zhurmën e shpërthimeve
Disa shpërthime u dëgjuan mëngjesin e së martës në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Një ndërtesë banimi raportohet se është qëlluar dhe djegur.
Sipas Shërbimit të Emergjencës Shtetërore, zjarri është shuar dhe një person është dërguar në spital.
Në një video-adresim të postuar në mediat sociale, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje trupave ruse që të dorëzohen.
“Në emër të popullit ukrainas, ne ju japim një shans për të jetuar. Nëse u dorëzoheni forcave tona, ne do t'ju trajtojmë ashtu siç duhen trajtuar njerëzit: me dinjitet”, tha Zelensky.
Disa nga lajmet e fundit janë:
- Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se pothuajse të gjitha ofensivat ushtarake ruse në Ukrainë, kanë ngecur, pas një përparimi të vogël që kanë bërë në fundjavë. Zyrtari i Pentagonit tha se trupat ruse janë ende rreth 15 kilometra larg qendrës së Kievit.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se bisedimet për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë vazhdojnë sot.
- Një protestuese kundër luftës ka ndërprerë lajmet e mbrëmjes në një nga kanalet kryesore televizive të Rusisë. Mësohet se ajo është arrestuar.
- SHBA-ja paralajmëroi Kinën se do të ketë pasoja nëse e ndihmon Rusinë në pushtimin e Ukrainës. Rusia e mohoi se ka kërkuar ndihmë të tillë nga Kina. Pekini po ashtu tha se nuk ka pasur një kërkesë të tillë.
- Mbretëria e Bashkuar paralajmëroi sanksione të reja për më shumë se 100 individë, që kanë lidhje me regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin.
Mirëmëngjesi të gjithëve dhe faleminderit që ndiqni blogun e Radios Evropa e Lirë për luftën në Ukrainë!
Ndër zhvillimet kryesore që priten sot janë bisedimet për paqe midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë.
Palët kanë zhvilluar të hënën edhe një rund negociatash dhe kanë dhënë shenja pozitive për mbarëvajtjen e tyre.
Na ndiqni!