Të nderuar lexues, këtu po përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për luftën në Ukrainë!
Rikthehemi të martën, 15 mars, nga ora 07:00.
Përmbledhja e ditës së 19-të të luftës:
- Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Kinën kundër mbështetjes së Rusisë. Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan është takuar të hënën me diplomatin e lartë të Partisë Komuniste të Kinës, Yang Jiechi në Romë
- Një konvoj me rreth 160 makina ka arritur të dalë nga qyteti i rrethuar ukrainas, Mariupol, kanë thënë autoritetet
- Tentimet e kaluara për të mundësuar largimin e civilëve nga ky qytet, kanë dështuar
- Njerëzit që janë larguar kanë folur me dëshpërim për situatën në Mariupol, duke përmendur mungesën e ushqimit dhe ujit të pastër
- Negociatat në mes të përfaqësuesve të Ukrainës dhe Rusisë do të vazhdojnë të martën, pasi katër rundet e para kanë përfunduar pa marrëveshje
- Rusia ka vazhduar të bombardojë disa qytete ukrainase. Një person është vrarë si pasojë e sulmeve në ndërtesa banimi në kryeqytetin ukrainas, Kiev
- Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se një raketë ukrainase ka vrarë 20 persona në qytetin Donjeck. Ukraina ka fajësuar Rusinë për këtë sulm.
- Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për një pako të katërt me sanksione kundër Rusisë
- Ekonomia ukrainase pritet të tkurret për 10 për qind këtë vit, si rezultat i pushtimit rus, mirëpo situata mund të përkeqësohet shpejt nëse konflikti vazhdon, ka thënë të hënën Fondi Monetar Ndërkombëtar
- Një protestuese kundër luftës është shfaqur në transmetim të drejtpërdrejtë gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror të Rusisë, Channel One, duke mbajtur një mbishkrim mbrapa prezantueses, në të cilin dënohej lufta në Ukrainë.
- Britania ka prezantuar planin për të strehuar refugjatët ukrainas nëpër shtëpi të britanikëve
Ukraina: Më shumë se 4,000 civilë janë evakuuar me sukses të hënën
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, ka thënë të hënën që më shumë se 4,000 civilë janë larguar me sukses nga konflikti.
Përmes një video-adresimi, Vereshchuk ka thënë se evakuimet janë kryer përmes shtatë korridoreve humanitare.
Tri korridore tjera, kanë qenë të paqasshme për operim, ka shtuar ajo.
Vereshchuk ka akuzuar forcat ruse se po shënjestrojnë civilët e evakuuar në rajonin e Kievit.
Rusia ka dënuar vazhdimisht pretendimet e Ukrainës se është duke shënjestruar civilët e evakuuar.
Të shtunën, Ukraina ka akuzuar forcat ruse se kanë vrarë shtatë civilë në një sulm, teksa ata kanë qenë duke u larguar nga fshati Peremoha afër Kievit.
Një protestuese paraqitet në transmetim të drejtpërdrejtë në kanalin rus
Një protestuese kundër luftës është shfaqur në transmetim të drejtpërdrejtë gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror të Rusisë, Channel One, duke mbajtur një mbishkrim mbrapa prezantueses, në të cilin dënohej lufta në Ukrainë.
Mbishkrimi – në gjuhën angleze dhe atë ruse – shkruante: "Jo luftës. Ndaleni luftën. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë këtu”.
Kjo shenjë proteste e pazakonshme ka ndodhur në ditën e 19-të të luftës, e cila ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak”.
“Ndaleni luftën. Jo luftës”, ka bërtitur gruaja në shenjë proteste, derisa prezantuesja ka qenë duke lexuar lajmet.
Televizioni e ka larguar shpejt nga ekrani, duke transmetuar një material tjetër.
Televizioni shtetëror është burimi i vetëm i lajmeve për miliona rusë.
Ai mbështet linjën e Kremlinit, sipas të cilit Rusia është detyruar të veprojë në Ukrainë për ta çmilitarizuar këtë shtet dhe për ta denazifikuar, si dhe për të mbrojtur rusisht-folësit nga “gjenocidi”.
Ukraina dhe pjesa më e madhe e botës kanë dënuar këtë pretendim, duke e konsideruar pretekst të rremë për pushtim të një vendi demokratik.
Protestuesja, e identifikuar nga disa organizata si Marina Ovsyannikova, ka qenë punëtore e televizionit.
Agjencia e lajmeve, TASS, ka thënë se ajo mund të përballet me akuza për shkelje të ligjit kundër diskreditimit të forcave të armatosura.
Ky ligj, i cili është miratuar më 14 mars, dënon shkeljet e lidhura me diskreditim të forcave të armatosura në deri 15 vjet burgim.
Shtëpia e Bardhë: Sullivan dhe Yang patën “diskutime substanciale”
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan është takuar të hënën me diplomatin e lartë të Partisë Komuniste të Kinës, Yang Jiechi në Romë, dhe ka “përmendur në mënyrë direkte” shqetësimin për mbështetjen e Kinës për Rusinë, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka dërguar Sullivanin në Romë për të takuar Yang-un, pas shqetësimeve se Pekini është duke përhapur dezinformatat ruse dhe mund t’i ndihmojë Moskës për t’iu ikur sanksioneve ekonomike të Perëndimit.
Mbështetja ndaj Rusisë, pas pushtimit që ka nisur Moska në Ukrainë, do të kishte ndikim për marrëdhëniet e Kinës në gjithë botën, përfshirë aleatët amerikanë, partnerët në Evropë dhe rajonin e Indo-Paqësorit, ka thënë Price para mediave.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Sullivan dhe Yang kanë diskutuar “një mori çështjesh të lidhura me marrëdhëniet SHBA-Kinë”, dhe “diskutime substanciale për luftën e Rusisë në Ukrainë”.
Para takimeve, Sullivan ka paralajmëruar Kinën që të shmangë ndihmën për Rusinë, ashtu që ajo t’iu ikë sanksioneve.
“Ne nuk do të lejojmë këtë gjë”, ka thënë ai.
Rusia ka hedhur poshtë sugjerimet se po kërkon ndihmën e Kinës.