Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
20:08 14.3.2022

Kremlini: S’ka kërkesë për takimin Putin-Zelensky

Rusia nuk ka marrë ende ndonjë kërkesë që presidenti rus, Vladimir Putin të zhvillojë bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë Kremlini.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më herët se nuk përjashtohet takimi mes dy liderëve.

Zelensky ka bërë thirrje për takime të drejtpërdrejta me Putinin, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës.

Peskov ka thënë të hënën se nuk ka pasur diskutime për një takim të mundshëm të Putinit dhe presidentit amerikan, Joe Biden, sipas mediave ruse.

Disa ditë para se trupat ruse të pushtonin Ukrainën, Shtëpia e Bardhë pati dhënë shenja se një samit i tillë do të kushtëzohej nga ulja e tensioneve nga ana e Putinit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

19:36 14.3.2022

Zelensky do t’iu drejtohet politikanëve amerikanë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do t’iu drejtohet politikanëve amerikanë përmes vide-lidhjes më 16 mars, kanë thënë zyrtarë të Uashingtonit.

Krerët e Senatit amerikan, Chuck Schumer dhe Nancy Pelosi kanë thënë përmes një letre se “mezi presin” të mirëpresin presidentin ukrainas për t’i shfaqur “mbështetjen tonë për popullin e Ukrainës teksa trimërisht mbron demokracinë”.

“Kongresi mbetet i palëkundur në përkushtimin tonë për të mbështetur Ukrainën teksa përballet me agresionin e ashpër të Putinit”, kanë thënë ata.

Javën e kaluar, Zelensky ka mbajtur një fjalim para Parlamentit britanik.

Të martën, ai do t’i drejtohet Parlamentit kanadez.

19:23 14.3.2022

Putin dhe Bennett flasin sërish për luftën në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka biseduar sërish me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett të hënën, për luftën për Ukrainë.

Kremlini ka thënë se biseda telefonike është zhvilluar me kërkesë të Izraelit.

Një zyrtar izraelit ka thënë se Bennett, i cili ka biseduar të shtunën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka lënë takimin e kabinetit qeveritar për të biseduar me Putinin, për gati një orë e gjysmë.

Bennett ka zhvilluar disa biseda telefonike me Putinin dhe Zelenskyn, si përpjekje për ndihmuar drejt zgjidhje së krizës.

Sipas një zyrtari izrealit, në bisedën e fundit është diskutuar për armëpushim dhe ndihmën humanitare të Izraelit në rajon, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Izraeli ka thënë të hënën se ka miratuar vendimin për të ndërtuar një spital të hapur në lindje të Ukrainës, me qëllim të trajtimit të refugjatëve.

Në të pritet të trajtohen 100 pacientë në ditë.

18:58 14.3.2022

Të paktën nëntë të vdekur pas sulmit në një kullë transmetimi

Një raketë ka goditur një kullë transmetimi në veri të Ukrainës, duke lënë të vdekur të paktën nëntë persona dhe disa tjerë të plagosur, ka thënë një zyrtar lokal, sipas transmetuesit britanik, BBC.

Vitaliy Koval, guvernator i rajonit Rivne, ka thënë se kulla dhe ndërtesa administrative në afërsi janë goditur nga dy raketa, në kuadër të një sulmi që ka ndodhur në fshatin Antopi.

“Ka ende njerëz nën rrënoja”, ka shtuar ai.

Mediat lokale kanë raportuar se transmetimet e televizionit dhe radios janë ndalur në rajonin Rivne, pas sulmit të mëngjesit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG