Banorët e fundit të Irpinit mes rrënojave dhe kufomave
Mijëra njerëz kanë ikur nga qyteza e Irpinit, afër kryeqytetit ukrainas, Kievit, pasi zonat e banimit janë gjendur nën sulme të vazhdueshme ruse. Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa prej banorëve që kanë mbetur ende aty – ata nuk kanë rrymë apo gaz për ngrohje, ndërsa kufomat vazhdojnë të qëndrojnë nëpër rrugë. (Paralajmërim: Kjo video ka pamje shqetësuese)
Zyrtarët ukrainas: Një 15-vjeçar është vrarë nga bombardimet në shkollë
Një 15-vjeçar është vrarë nga disa “fragmente të predhave”, kur një shkollë në Çuhuiv, afër qytetit Harkiv, është goditur nga ajo që zyrtarët ukrainas e kanë konsideruar artileri ruse.
“Një numër shtëpish private janë dëmtuar po ashtu” nga bombardimet, ka thënë Zyra e Prokurorit Rajonal të Harkivit, në një postim në Facebook.
Viktima nuk është identifikuar.
Prokurorët kanë nisur hetime penale për shkelje të mundshme “të ligjeve dhe kushteve të luftës… të kombinuara me vrasje të paramenduar”, ka thënë mes tjerash kjo Zyrë.
Rusia thotë se do të sulmojë fabrikat e armëve në Ukrainë
Rusia ka thënë të hënën se planifikon të sulmojë fabrikat e armëve në Ukrainë, në shenjë hakmarrjeje për atë që e ka konsideruar sulm ukrainas në rajonin e Donjeckut – të kontrolluar nga separatistët.
Ministria e Jashtme ruse u ka kërkuar punëtorëve dhe banorëve lokalë që të qëndrojnë larg këtyre objekteve.
Në deklaratë të kësaj Ministrie është thënë se forcat ruse do të përgjigjen “duke shkatërruar komplekset ushtarako-industriale në Ukrainë që prodhojnë dhe riparojnë armë të cilat nacionalistët i përdorin për krime lufte”.
Spanja i kërkon Kinës të shfrytëzojë ndikimin për përfundim të luftës
Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, ka thënë të hënën se i ka kërkuar homologut të tij kinez, Wang Yi, që të shfrytëzojë ndikimin e Pekinit në Moskë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne jemi në një moment historik që kërkon përgjegjësi dhe vizion për të gjithë liderët botërorë”, i ka thënë Albares ministrit kinez, në një bisedë telefonike të zhvilluar të hënën, sipas një deklarate të ministrisë spanjolle.
Në të është thënë se Albares ka dënuar “agresionin rus në Ukrainë”, duke i thënë Wangut se “Rusia ka dëmtuar themelet e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe është duke kërcënuar komunitetin ndërkombëtar”.