Në luftë me flakët
Dita e 19-të e luftës në Ukrainë, përmes fotografive.
OKB ndan edhe 40 milionë dollarë si ndihmë humanitare për Ukrainën
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se ky institucion do të ndajë edhe 40 milionë dollarë si ndihmë humanitare për Ukrainën.
Duke folur nga Nju Jorku, ai ka thënë se fondet do të ndihmojnë për furnizime të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe furnizimeve tjera në këtë shtet, si dhe ofrimin e parave të gatshme për ata që kanë nevojë.
Guterres ka paralajmëruar se ndonjë përshkallëzim i mëtejmë i luftës në Ukrainë – qoftë aksidental apo i qëllimshëm – kërcënon “gjithë njerëzimin”.
Duke e përshkruar vendimin e Rusisë për vendosjen e forcave bërthamore në gatishmëri të lartë si “zhvillim drithërues”, ai ka shtuar se ideja e konfliktit bërthamor – dikur diçka e “paimagjinueshme”, tani është kthyer në kufirin e të mundshmes.
Guterres ka bërë thirrje për “armëpushim” dhe “negociata serioze” të bazuara në Kartën e OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.
Ukraina bën thirrje për përjashtim “të menjëhershëm” të Rusisë nga Këshilli i Evropës
Ukraina ka kërkuar që Rusia të përjashtohet menjëherë nga Këshilli i Evropës, duke thënë se Moska nuk ka të drejtë të jetë anëtare e këtij trupi, pas pushtimit të fqinjës së saj.
“Ne u bëjmë thirrje të merrni vendim për përjashtim të menjëhershëm të Rusisë nga Këshilli i Evropës”, ka thënë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përmes video-linkut, duke shtuar se sulmi i Rusisë nënkupton që ajo “nuk mund të qëndrojë në familjen evropiane”.
Borrell konfirmon paketë të re sanksionesh kundër Rusisë
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka konfirmuar se blloku evropian është i vendosur për një rund të katërt të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Duke folur nga Shkupi më 14 mars, Borrell ka akuzuar Moskën për shënjestrim të civilëve në Ukrainë, duke thënë që më shumë se “2,400 civilë kanë vdekur vetëm në qytetin Mariupol”.
“Lufta e Putinit nuk është vetëm për Ukrainën, është për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë evropian. Kjo na prek të gjithëve”, ka thënë Borrell, duke paralajmëruar një pako tjetër të sanksioneve që prek çelikun, thëngjillin dhe qasjen e Moskës në institucione financiare ndërkombëtare.
Ndër luftimet më të ashpra në Ukrainë, besohet se tani janë duke ndodhur në Mariupol.