Zelensky uron Trumpin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu bashkua urimeve të shumta të udhëheqësve botërorë për presidentin e ri amerikan, Donald Trump.
"Ky shekull është duke u formësuar tani dhe ne duhet të punojmë të gjithë së bashku, për t'u siguruar që ai do të jetë një shekull i madh dhe i suksesshëm për demokracitë", shkroi ai në X.
Inaugurimi i Trumpit: Festë në Bibaj të Ferizajt
Në fshatin Bibaj të Ferizajt, qytetarët festuan inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Banorët e fshatit shpresojnë që Trumpi me administratën e tij, të vazhdojë ndihmën për Kosovën, në veçanti në zgjidhjen e problemeve me Serbinë.
Osmani uron Trumpin: Kosova përjetësisht mirënjohëse
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi Donald Trumpin pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Përmes një postimi në platformën X, Osmani tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të, me zëvendëspresidentin JD Vance dhe me gjithë administratën e re, “për të forcuar marrëdhëniet tona të posaçme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”.
“Kosova do të ketë përjetësisht një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë pasur në mbështetjen tonë, në disa prej kapitujve më të errët të historisë sonë”, thuhet në telegramin e urimit të shpërndarë në X.
“Përkushtimi i vendit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor, e ka shpëtuar popullin tonë nga një regjim gjenocidial”, tha gjithashtu Osmani.
Ajo shtoi se Kosova mbetet me krenari “populli më proamerikan” në botë.
Urime edhe nga shefi i NATO-s
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili supozohet se ka pasur marrëdhënie të mira me presidentin Donald Trump, gjatë mandatit të tij të parë, e uroi atë, pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
"Me rikthimin e Trumpit, ne do t'i përshpejtojmë shpenzimet dhe prodhimet për mbrojtje", shkroi Rutte në X.
"Së bashku, ne mund të arrijmë paqe përmes forcës - përmes NATO-s", shtoi ai.