Ndërlidhjet

"Thjesht doja të jetoja": Gazetari i REL-it flet për torturat në burgun rus


Vladyslav Yesypenko në Kiev më 1 gusht 2025.
Vladyslav Yesypenko në Kiev më 1 gusht 2025.

Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Vladyslav Yesypenko, ka treguar për herë të parë rreth torturave që i ka përjetuar pasi është arrestuar në Krimenë e pushtuar nga Rusia më 2021.

Duke folur për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, në intervistën e tij të parë prej kur është liruar nga burgu rus në qershor, Yesypenko ka treguar se si rrahjet dhe elektroshoku janë përdorur për ta detyruar që të bëjë një deklaratë para gjykatës, të cilën më vonë e ka tërhequr.

“Fillimisht të rrahin, pastaj e përdorin elektroshokun, më vonë të rrahin prapë, dhe sërish e përdorin elektroshokun. Dhe përderisa vazhdon kjo situatë, ata të bëjnë pyetje”, ka thënë ai.

“U kam thënë, djem ndaluni dhe do të nënshkruaj çfarë të ketë nevojë. Nëse më thoni që e kam vrarë [ish-presidentin amerikan] Kennedy, mirë, do të them se e kam vrarë. Por, ju lutem ndaleni torturën”.

Fushata në mbështetje të Yesypenkos, e mbajtur në korrik të vitit 2021 në Kiev.
Fushata në mbështetje të Yesypenkos, e mbajtur në korrik të vitit 2021 në Kiev.

Yesypenko ka shtetësi ruse dhe ukrainase, dhe ka punuar si kontribuues në një program të Radios Evropa e Lirë për Krimenë. Ai është liruar nga burgu pas më shumë se katër vjetësh prej kur ishte ndaluar nën dyshimet për mbledhje të informacioneve për inteligjencën ukrainase, akuzë të cilën e ka mohuar.

Përgjatë intervistës, Yesypenko e ka kujtuar momentin e arrestimit të tij më 10 mars 2021. Ai ka thënë se është ndaluar nga një polic trafiku sa ka qenë duke vozitur me një mik në Krime. Mirëpo, thuajse menjëherë, agjentët e Shërbimit rus të Sigurisë, janë shfaqur afër dhe e kanë rrëzuar në tokë.

Shërbimi rus i Sigurisë (FSB) e ka publikuar një video të një granate afër ulëses së shoferit në makinën e Yesypenkos. Ai thotë se ata ia kanë montuar granatën aty dhe që ajo është përdorur si prova kryesore kundër tij në gjykatë.

Disa muaj më vonë, Yesypenko është akuzuar për “posedim apo transportim të lëndëve shpërthyese”, ndonëse prokurorët më vonë e kanë pranuar se granata e “gjetur’ në makinën e tij nuk i ka pasur shenjat e tij të gishtërinjve.

Yesypenko ka thënë se pas arrestimit atij i janë mbyllur sytë, i janë lidhur duart dhe është dërguar në një bodrum. Aty ka nisur tortura kundër tij.

“E kam kuptuar që nuk isha hero në atë pikë. Thjesht doja të jetoja. Doja që ajo të përfundonte sa më shpejt që ishte e mundur. Kaq”, ka thënë ai.

“Në atë moment nuk kishte rëndësi çfarë nënshkruaja. E kuptova që në atë moment më duhej të mbijetoja”.

"Ata të kërkojnë në çdo vend"

Një apo dy ditë më vonë, Yesypenkon e ka vizituar një avokate e angazhuar nga Rusia, Violetta Sinyeglazova, e cila është siguruar që ai do t’i nënshkruajë deklaratat e rreme që i ishin përgatitur.

“Ajo më ka thënë që nëse i nënshkruaj dokumentet, gjykata do ta shohë veprimin si rrethanë lehtësuese kur të marrë vendimin”, kujton ai.

Shtatë ditë më vonë, ai e parë që në dhomën e gjyqit nuk i janë afruar shumë zyrtarë të FSB-së dhe ka arritur të flasë me një avokate që ka qenë aty për të ndalurit tjerë.

“Ajo më ka thënë ‘pra, ju jeni Yesypenko. Ata po të kërkojnë në çdo vend – gruaja dhe avokatët. Shumë mirë që jeni shfaqur’”.

Ditën pasuese, një avokat i pavarur ka arritur dhe Yesypenko e ka nënshkruar një deklaratë duke thënë se braktisë avokaten Sinyeglazova për shkak të ekipit të ri ligjor.

Vladyslav Yesypenko me gruan e tij, Katerynan, para arrestimit.
Vladyslav Yesypenko me gruan e tij, Katerynan, para arrestimit.

Më 18 mars, tetë ditë pas arrestimit të tij, Yesypenko e ka dhënë një intervistë për televizionin shtetëror Crimea-24. Ai ka thënë se ajo ka qenë njëra prej kushteve për t’u rrëfyer publikisht sa ka qenë nën presion.

Shërbimi rus i Sigurisë ia ka dhënë një letër për ta lexuar, të cilën ai e ka përsëritur përgjatë intervistës. Në letër është thënë kinse ai e ka pasur granatën në makinë.

“Ata kanë dashur ta komprometojnë Radion Evropa e Lirë. Ata kanë dashur t’i tregojnë botës se njerëzit që punojnë për Radion Evropa e Lirë janë edhe spiunë”, ka thënë ai.

Kërcimi "përtej humnerës"

Gjyqi ishte planifikuar të niste më 6 prill. Mirëpo, Yesypenko ka thënë se disa ditë më parë i ka ardhur në vizitë një zyrtar i FSB-së, i quajtur Korovin, i cili i ka ofruar cigare dhe ka tentuar të mësojë më shumë nëse Yesypenko do të vepronte sipas skriptës.

Korovin ka thënë se gruaja e Yesypenkos dhe avokatë tjerë do të ishin në dhomën e gjyqit, por që ai duhet të punonte vetëm me Sinyeglazova. Yesypenko është pajtuar, mirëpo ai ka gënjyer.

“Aty e kuptova që jam duke bërë kërcim përtej humnerës. Kurrë nuk i dihet a keni sukses apo jo” ka thënë ai.

“Secilën herë që i bëja ato deklarata ndihesha keq. Ndihesha se po tradhtoj gjithçka që më përket mua”.

Mirëpo, në gjykatë ka vendosur të rrezikojë. Duke hequr dorë nga fjalimi i skriptës, ai ka treguar se është torturuar, se që gjithçka që i ka ndodhur ka qenë ilegale dhe që do të kalojë në ekip të pavarur të mbrojtjes.

“Ka qenë diçka tronditëse për gjyqtarët dhe ka qenë tronditëse për prokurorët, sepse gjyqi ishte planifikuar të shkonte ndryshe”, ka thënë ai.

Disa ditë më vonë, Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar lirimin e Yesypenkos dhe u është bashkuar shqetësimeve të ngritura nga grupet për të drejta të njeriut lidhur me trajtimin e tij.

Mirëpo, ai nuk është liruar. Për shumë muaj të tjerë, seancat gjyqësore kanë vazhduar dhe Yesypenko ka thënë se i është bërë presion për të bashkëpunuar, dhe është kërcënuar me torturë shtesë.

Në shkurt të vitit 2022, një gjykatë në Krime, e administruar nga Rusia, e ka dënuar atë me gjashtë vjet burgim nën akuzat për spiunim, të cilat ai, punëdhënësi i tij dhe grupet për të drejta të njeriut i kanë cilësuar si të fabrikuara.

Gjykata Supreme në Krime, e kontrolluar nga Moska, ia ka zvogëluar më vonë dënimin në pesë vjet.

Vladyslav Yesypenko në Kiev më 1 gusht 2025.
Vladyslav Yesypenko në Kiev më 1 gusht 2025.

Pak pas lirimit të tij më 20 qershor, ai është nisur me aeroplan për në Jerevan të Armenisë.

“Ka qenë moment shumë emocional. E kam kuptuar se jam i lirë dhe gjithçka ka përfunduar. Ka qenë sikur të lindja sërish”, ka thënë ai.

Prej Armenisë, ai ka udhëtuar në Pragë, ku është takuar me familjen dhe më pas është kthyer në Ukrainë.

“Kur kemi hyrë në stacionin hekurudhor në Kiev, e kam parë qytetin, zhurmën dhe rrëmujën. Aty e kam kuptuar se jam kthyer në shtëpi”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG