Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Konstituohet Kuvendi pavarësisht kundërshtimeve të Listës Serbe

•Deputetët e Kuvendit të Kosovës e zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk i siguruan votat e nevojshme.

•Lista Serbe e kundërshtoi këtë hap dhe konsideroi se janë bërë shkelje kushtetuese.

•Me gjithë kundërshtimet, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar.

•Seanca konstituive u mbajt pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja

•Dështimi për ta bërë Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit e ka zhytur vendin në krizë.

09:55 10.10.2025

Konjufca: Kuvendi do të konstituohet sot, Kurti do të bëhet sërish kryeministër

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se Kuvendi i Kosovës do të konstituohet sot.

“Së shpejti do ta kemi Albin Kurtin kryeministër për herë të tretë. Prej nesër fillon rrjedhja e kohës për formimin e Qeverisë sepse sot do të kemi Kuvend të konstituuar”, tha ai, para fillimit të seancës.

I pyetur nëse ka pasur negociata me ndonjë parti, ai tha se “negociatat gjithmonë ndodhin, bisedimet gjithmonë ndodhin”.

LVV-ja ka theksuar sërish se nuk do ta votojë asnjë deputet të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, për pozitën e nënkryetarit.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se nënkryetar nga komuniteti serb duhet të zgjedhet Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

"Rashiq i mori 56 vota [në seancën e kaluar], nevojiten edhe 5 vota nga 52 deputetët shqiptarë", tha Murati.

Glauk Konjufca.
Glauk Konjufca.
10:07 10.10.2025

Rashiq thotë se do të kandidojë “nëse më vjen radha”

Deputeti Nenad Rashiq nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë njoftoi se do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, nëse i mundësohet.

“Nëse vjen radha ime, siç kam thënë gjithmonë jam politikan i përgjegjshëm, dhe nëse votojnë për mua, unë natyrisht që do ta marrë përgjegjësinë. Nuk e di si do të shkojë procesi, nëse Lista Serbe i shpenzon krejt kandidatët dhe pastaj vjen radha ime, unë do të kandidoj”, tha Rashiq para seancës.

Kushtetuesja tha se partisë më të madhe serbe, në këtë rast Listës Serbe, i takon të parës të propozojë kandidat për nënkryetarin serb.

Por, nëse Lista Serbe dështon ta zgjedhë nënkryetarin, atëherë gjykata la të hapur mundësinë për votim me short dhe kjo do t’i jepte mundësi Rashiqit të kandidojë.

Nenad Rashiq.
Nenad Rashiq.
10:08 10.10.2025

Bajrami: Duhet marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, nuk tregoi se si do të votojnë deputetët e partisë së saj në seancën e sotshme, por shtoi se “me 20 votat e LDK-së, Kuvendi nuk mund të konstituohet”.

Ajo insistoi se “LVV-ja duhet t’i thërrasë partitë e tjera për konsultim për konstituimin e Kuvendit, presim ftesë për marrëveshje politike”.

Hykmete Bajrami.
Hykmete Bajrami.
10:39 10.10.2025

Fillon seanca

Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka filluar rreth 40 minuta me vonesë, pasi ishte thirrur për orën 10:00.

Në këtë seancë pritet zgjedhja e nënkryetarit serb, i cili e ka mbajtur peng konstituimin e Kuvendit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG