Simiq nga Lista Serbe dështon tri herë në kandidimin për nënkryetar
I propozuari i Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, ka dështuar t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për t'u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Nga 105 deputetë të pranishëm, ai në të tria tentimet mori vetëm nëntë vota nga deputetët e Listës Serbe pro. Kundër votuan deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa nga deputetët e minoriteteve joshumicë, ndërsa të tjerët abstenuan.
Ai nuk mund të kandidohet më, pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar më parë se një deputet mund të propozohet vetëm deri në tri herë.
Simiq ishte propozuar nga Lista Serbe edhe në seancën paraprake, por as atëherë nuk kishte siguruar votat e mjaftueshme.
As Zllatan Ellek nuk i merr votat e nevojshme në tri tentime
Kandidati i dytë i propozuar nga Lista Serbe, Zllatan Ellek, nuk i ka marrë votat e nevojshme për t’u emëruar nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në tri tentimet e mundshme.
Sikurse bashkëpartiaku i tij Simiq, Elleku mori vetëm 9 vota për në secilin votim, pra vetëm votat e deputetëve të partisë së tij.
Edhe Stefanoviq dështon t’i marrë votat e nevojshme
Si dy bashkëpartiakët e tjerë që u propozuan para saj, edhe Lilana Stefanoviq nga Lista Serbe dështoi në të tria tentimet t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Ajo mori vota për vetëm nga bashkëpartiakët e saj.
S’ka votë as për Verika Qenariqin
Verika Qenariq është kandidatja e katërt e Listës Serbe që dështon t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës.
Në tri votime të ndara, ajo i mori vetëm nëntë votat e partisë.