Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Konstituohet Kuvendi pavarësisht kundërshtimeve të Listës Serbe

•Deputetët e Kuvendit të Kosovës e zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk i siguruan votat e nevojshme.

•Lista Serbe e kundërshtoi këtë hap dhe konsideroi se janë bërë shkelje kushtetuese.

•Me gjithë kundërshtimet, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar.

•Seanca konstituive u mbajt pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja

•Dështimi për ta bërë Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit e ka zhytur vendin në krizë.

15:18

Lexues të nderuar,

Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u përmbyll me zgjedhjen e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Për Rashiqin votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa deputetë nga radhët e komuniteteve joserbe.

Emri i tij u hodh në votim pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – dështuan të merrnin votat e nevojshme, edhe pasi u hodhën në votim nga tri herë secili.

Lista Serbe e cilësoi si “të paligjshme” zgjedhjen e Rashiqit dhe tha se do të ankohet për këtë vendim.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate hodhën dyshime lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së Rashiqit.

Me përmbylljen e konsitituimit të Kuvendit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Lajmet e dhe artikujt e tjerë lidhur me zhvillimet politike në Kosovë mund t’i gjeni në ueb-faqen tonë.

*Video: Përmbledhje e asaj që ndodhi gjatë seancës së 10 tetorit

Nenad Rashiq nënkryetar: Kuvendi mbyll konstituimin
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:16 0:00

Faleminderit që na ndoqët!

14:22

Serbia kundërshton zgjedhjen e Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës

Lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës ka reaguar edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Sipas Petkoviqit, zgjedhja e Rashiqit është “krejtësisht joligjore”, pasi sipas tij, posti i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb i përket “vetëm Listës Serbe”.

“Shkeljet e vendimeve ligjore të [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurti arritën kulmin sot. Nëse Kurti zgjedh Rashiqin, serbët do ta zgjedhin Listën Serbe edhe më fuqishëm”, shkroi ai në X, duke u bërë thirrje serbëve në Kosovë që në zgjedhjet lokale, që mbahen të dielën, të mbështesin Listën Serbe.

Thirrje të ngjashme për mbështetje të Listës Serbe në zgjedhjet lokale ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa krerët shtetërorë në Kosovë e kanë akuzuar Serbinë se po ndërhyn në zgjedhjet e 12 tetorit, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë.

14:15

Haxhiu thotë se LVV-ja përjashton si partnerë për koalicion qeverisës PDK-në dhe Listën Serbe

Pas seancës konstituive, nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se partia e saj, që ka fituar zgjedhjet e shkurtit, është e interesuar për të gjetur një partner koalicioni për të qeverisur me vendin.

Ajo tha se LVV-ja është e hapur për koalicion me të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe.

“Ne do të fillojmë me procedurat për dërgimin e emrit të mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti. Ne do të vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë nëse kanë vullnet me qenë pjesë e qeverisë”, tha Haxhiu.

Lajmin e plotë e gjeni më poshtë:


13:56

Abdixhiku: Ta shohim a i ka LVV-ja numrat për formim të qeverisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se deputetët e kësaj partie vendosën ta votojnë Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit pasi vlerësuan se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese hapi rrugë për këtë gjë.

“E vetëdijshme se debati i paqenë mbi Listën Serbe dhe veton e saj në procesin e konstituimit të kuvendit, ishte kthyer në temë elektorale, LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga axhenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit”, shkroi Abdixhiku.

Ai tha se po të mos ishte bërë kjo, do të kishte “shkelje të reja kushtetuese” nga Lëvizvja Vetëvendosje “përfshirë uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese”.

“Rruga për formimin e Qeverisë është tashmë e hapur. Për 177 ditë me radhë, ata kanë thënë se i kanë votat. Tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës”, përfundoi ai.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG