Dështon edhe propozimi i pestë i Listës Serbe
Milana Nikolliq nga Lista Serbe, deputetja e pestë e propozuar nga kjo parti për postin e nënkryetares, ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për ta marrë atë post.
Në të tria tentimet, ajo mori vota për vetëm nga bashkëpartiakët e saj.
Kështu, tani kanë mbetur vetëm edhe katër deputetë të tjerë nga Lista Serbe që mund të kandidohen për postin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
S’ka votë as për Verika Qenariqin
Verika Qenariq është kandidatja e katërt e Listës Serbe që dështon t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës.
Në tri votime të ndara, ajo i mori vetëm nëntë votat e partisë.
Edhe Stefanoviq dështon t’i marrë votat e nevojshme
Si dy bashkëpartiakët e tjerë që u propozuan para saj, edhe Lilana Stefanoviq nga Lista Serbe dështoi në të tria tentimet t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Ajo mori vota për vetëm nga bashkëpartiakët e saj.
As Zllatan Ellek nuk i merr votat e nevojshme në tri tentime
Kandidati i dytë i propozuar nga Lista Serbe, Zllatan Ellek, nuk i ka marrë votat e nevojshme për t’u emëruar nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në tri tentimet e mundshme.
Sikurse bashkëpartiaku i tij Simiq, Elleku mori vetëm 9 vota për në secilin votim, pra vetëm votat e deputetëve të partisë së tij.