Simiq nga Lista Serbe dështon tri herë në kandidimin për nënkryetar
I propozuari i Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, ka dështuar t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për t'u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Nga 105 deputetë të pranishëm, ai në të tria tentimet mori vetëm nëntë vota nga deputetët e Listës Serbe pro. Kundër votuan deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa nga deputetët e minoriteteve joshumicë, ndërsa të tjerët abstenuan.
Ai nuk mund të kandidohet më, pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar më parë se një deputet mund të propozohet vetëm deri në tri herë.
Simiq ishte propozuar nga Lista Serbe edhe në seancën paraprake, por as atëherë nuk kishte siguruar votat e mjaftueshme.
Fillon seanca
Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka filluar rreth 40 minuta me vonesë, pasi ishte thirrur për orën 10:00.
Në këtë seancë pritet zgjedhja e nënkryetarit serb, i cili e ka mbajtur peng konstituimin e Kuvendit.
Bajrami: Duhet marrëveshje politike për konstituim të Kuvendit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, nuk tregoi se si do të votojnë deputetët e partisë së saj në seancën e sotshme, por shtoi se “me 20 votat e LDK-së, Kuvendi nuk mund të konstituohet”.
Ajo insistoi se “LVV-ja duhet t’i thërrasë partitë e tjera për konsultim për konstituimin e Kuvendit, presim ftesë për marrëveshje politike”.
Rashiq thotë se do të kandidojë “nëse më vjen radha”
Deputeti Nenad Rashiq nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë njoftoi se do të kandidojë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, nëse i mundësohet.
“Nëse vjen radha ime, siç kam thënë gjithmonë jam politikan i përgjegjshëm, dhe nëse votojnë për mua, unë natyrisht që do ta marrë përgjegjësinë. Nuk e di si do të shkojë procesi, nëse Lista Serbe i shpenzon krejt kandidatët dhe pastaj vjen radha ime, unë do të kandidoj”, tha Rashiq para seancës.
Kushtetuesja tha se partisë më të madhe serbe, në këtë rast Listës Serbe, i takon të parës të propozojë kandidat për nënkryetarin serb.
Por, nëse Lista Serbe dështon ta zgjedhë nënkryetarin, atëherë gjykata la të hapur mundësinë për votim me short dhe kjo do t’i jepte mundësi Rashiqit të kandidojë.