Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Konstituohet Kuvendi pavarësisht kundërshtimeve të Listës Serbe

•Deputetët e Kuvendit të Kosovës e zgjodhën Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe nuk i siguruan votat e nevojshme.

•Lista Serbe e kundërshtoi këtë hap dhe konsideroi se janë bërë shkelje kushtetuese.

•Me gjithë kundërshtimet, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar.

•Seanca konstituive u mbajt pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja

•Dështimi për ta bërë Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit e ka zhytur vendin në krizë.

13:34

Limaj: Zgjedhja e nënkryetarit është antikushtetuese

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si “antikushtetuese” zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga pakica serbe.

“Ajo çka pamë sot është, nëse e lexoni me kujdes aktgjykimin e Kushtetueses, shihet se kjo që ka ndodhur sot këtu është tërësisht antikushtetuese”, tha Limaj për Klan Kosovën.

“Praktikisht ne po hyjnë në një fazë të shkeljes së vazhdueshme të Kushtetutës. Aktgjykimi i fundit e tregon qartësisht se të drejtën për propozuar e ka shumica serbe”, shtoi ai.

12:59

Albert Krasniqi hedh dyshime mbi procedurën e votimit të Rashiqit

Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus ka hedhur dyshime nëse mënyra se si u votua Nenad Rashiqi nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga pakica serbe, është e ligjshme.

“Kur përfundojnë tre raunde votimi për të gjithë kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, procedura rinis për ditët e mbetura brenda afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk e kanë refuzuar të drejtën për të propozuar kandidatin, prandaj mekanizmi i “shortit” nuk ka mundur të aktivizohet”, tha Krasniqi në Facebook.

Kryetari i Kuvendit Dimal Basha thirri procedurën e shortit për propozimin e Rashiqit, pasi të gjithë kandidatët e Listës Serbe dështuan t’i merrnin votat e nevojshme dhe Igor Simiq nga kjo parti nuk e propozoi Rashiqin.

“Ajo që ka ndodhur sot në praktikë është se kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç parashihet, por nga deputetët e shumicës”, shtoi Krasniqi, njohës i çështjeve politike dhe kushtetuese.

12:49

Tani radha e formimit të Qeverisë së re?

Tani që Kosova më në fund e ka një Kuvend të ri, me kryetar dhe nënkryetarë të zgjedhur, hapet rruga për hapin e radhës në formimin e institucioneve të reja, plot tetë muaj pas zgjedhjeve.

Konstituimi i Kuvendit nënkupton se presidentja e vendit, siç i kërkohet me ligje, mund ta emërojë tani mandatarin për krijimin e Qeverisë së re.

Presidentja Osmani ka detyrë ligjore ta emërojë partinë ose koalicionin fitues - në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë.

Kabineti i propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.

Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.

Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabintetit qeveritar në Kuvend.

Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

12:35

Basha: Rashiq u zgjodh në procedure të rregullt, Kuvendi tani mund ta vazhdojë punën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka hedhur poshtë kritikat për mënyrën se konstituimit të organit ligjvënës, duke thënë se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit nënkryetar, ka qenë “plotësisht e rregullt”.

Ai tha se pasi të gjithë nëntë kandidatët e Listës Serbe u hodhën në votim, secili nga tri herë, dhe dështuan, dhe mbeti vetëm edhe një kandidat, Nenad Rashiq nga partia tjetër serbe, “unë me doemos duhej t’ua ofroja mundësinë e barabartë”.

“Siç e dini, Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton se cilës parti serbe duhet t’i takojë nënkryetari serb, vetëm thotë se duhet të jetë nga komuniteti serb. Për shkak të refuzimit [nga Igor Simiq për ta propozuar Rashiqin] unë jam detyruar ta përdor paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores”, tha Basha për gazetarë pas seancës.

Dimal Basha
Dimal Basha

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG