Cilësimi i veprimeve të UÇK-së
Clark po pyetet tani për cilësimet që ia bënin ndërkombëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillimet e saj.
Halling i kërkoi atij të tregojë nëse është e vërtetë që veprimet e para të UÇK-së cilësoheshin si terroriste nga bashkësia ndërkombëtare.
“Ka pasur diskutime lidhur me këtë pikë. Më kujtohet që ambasadori Robert Gelbard e kishte quajtur terroriste familjen Jashari. Por, ai u qortua për këtë dhe deklarata e tij u tërhoq dhe u korrigjua”.
Halling e lexoi një deklaratë që Clark e kishte bërë më 1998, ku kishte thënë “E dënojmë dhunën kundër personave që kanë shprehur orientimin e tyre politik në mënyrë jo të dhunshme, po ashtu dënojmë metodat terroriste që përdoren për të arritur synime të caktuara”.
Kur prokurori i tha se “pra edhe ju vetë i keni lidhur veprimet e asaj kohe që po ndodhin në Kosovë me veprime terroriste”, Clark u përgjigj duke shpjeguar se “metoda terroriste kam dënuar unë”.
Clark e mohon se nuk donte komunikim me UÇK-në
Clark e mohoi se kishte thënë se “ishte e rëndësishme të mbahej njëfarë lloj distance nga UÇK-ja gjatë bombardimeve”, kur prokurori citoi një deklaratë të tij nga një intervistë.
I pyetur nëse ai nuk donte të kishte komunikim me UÇK-në asokohe, Clark tha: “Jo, nuk është e saktë”.
“Për këtë arsye fola me Thaçin. Në fakt, i kërkova Thaçit të na ndihmonte. Ishim në një pikë kritike të historisë, vlerave, etikës dhe demokracisë në atë kohë. Dua të shpjegoj se në një pikë kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë, në luftëtarë lirie, dhe në një pikë të caktuar, opinioni botëror dhe konsensusi botëror vjen në përfundim se njerëzit të drejtë t’i bëjnë ballë trysnisë së luftës dhe kjo është e shkruar edhe në deklaratën e pavarësisë së SHBA-së”, shpjegoi Clark.
Clark shtoi: “Nga viti 1974 Kosova duhej të ishte shtet i ndarë administrativ, por [lideri i atëhershëm serb Sllobodan] Millosheviqi ua mohoi këtë, prandaj një grup i caktuar njerëz që quheshin terroristë u bënë mbrojtje kolektive e popullit të vet”.
Clark: S’mund të konfirmoj nëse UÇK-ja u armatos nga ndonjë shtet i NATO-s
Clark thotë se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë organ apo entitet qeveritar i ndonjë vendi anëtar të NATO-s i kishte dhënë armë UÇK-së pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë në fillim të vitit 1999.
I pyetur nga prokurori Halling nëse nuk mund ta konfirmojë për shkak të konfidencialitetit, Clark tha shkurtimisht: “Thjesht nuk e di”.
Prokurori më pas e lexoi një raport informimi të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Robin Cook, lidhur me operacionet e NATO-s, në të cilin ai thotë se “ne kemi marrë disa raporte nga UÇK-ja në dy javët e fundit dhe na ndihmon ta kemi perspektiven e asaj çka po ndodh, por nuk synojmë t’i furnizojmë ata me armë”.
Lidhur me këtë Clark tha se “jam i sigurt ka pasur deklarata nga dikush që ka thënë se UÇK-ja ka trokitur në derë për të kërkuar ndihmë, kjo është tërësisht ndryshe nga të pasurit një sistem të komandës dhe kontrollit, të unifikuar, i cili do të mbështeste NATO-n”.
Clark përsëriti se UÇK-ja nuk kishte komandë kontrolli.
Takimi me Thaçin
Prokurori ia kujtoi atij deklaratën se e kishte takuar Hashim Thaçin në prill 1999 për të kërkuar ndihmën e tij në identifikimin e objektivave për bombardimet e NATO-s.
I pyetur nëse i kujtohej se ku ishte mbajtur takimi, Clark tha: “Jam i sigurt që në selinë time”.
Më pas, Halling i kërkoi Clarkut të tregojë se në atë kohë cili mendonte se ishte roli i Thaçit.
Clark tha: “Ai ishte si oficer ndërlidhës. E kuptova se ai po kërkonte para dhe mbështetje nga diaspora shqiptare”.
Clark tha se nuk e di nëse ai po Thaçi e kishte bërë kërkesën për takim.
Prokurori i tha se ju u takuat me Thaçin sepse ishte ndër personat më të lartë në UÇK.