Përshëndetje të dashur lexues,
Radio Evropa e Lirë do ta mbulojë drejtpërdrejt dëshminë e gjeneralit të pensionuar amerikan, Wesley Clark, në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Kjo është dita e dytë e dëshmisë së Clarkut.
Për të qenë të informuar në kohë reale për dëshminë e tij, na ndiqni!
Çfarë tha Clark në ditën e parë të dëshmisë?
Në ditën e parë të dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Clark, tha se nuk besonte se Thaçi ishte udhëheqës ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Clark, i cili e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, tha se nuk besonte që Thaçi komandonte personat që kryen akte të dhunës pas çlirimit të Kosovës.
Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.
Ai tha se nuk e di nëse Thaçi ka luftuar dhe nuk ishte në dijeni për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
Clark është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Thaçit dhe ai pritet ta mbarojë dëshminë të mërkurën.
Seanca e sotme nis me pyetjet e prokurorit Matt Halling.
Prokurori Halling po i bën pyetje me këmbëngulësi Clarkut lidhur me deklarimet e tij para senatit amerikan më 1999 dhe 2000 lidhur me vendosjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë dhe shqetësimet e tij të shprehura asokohe se Serbia mund të tentonte të rikthehej në Kosovë.
Clark sqaroi për të se nuk mendonte se Serbia do të kthehej në Kosovë, por se si gjeneral ishte puna e tij të vlerësonte rreziqet dhe rrethanat e asaj kohe, “sepse ende nuk kishte një marrëveshje. Në fakt, nuk pati marrëveshje derisa Kosova u pavarësua më 2008”.