Përshëndetje të nderuar lexues,
Do të vazhdojmë të mbulojmë drejtpërdrejt vazhdimin e dëshmisë të ish të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Christopher Hill, në mbrojtje të Hashim Thaçit, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998-1999, kur ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot është dita e tretë e dëshmisë së tij.
Në ditën e parë ai u mor në pyetje nga mbrojtësi i Thaçit, Lluka Mishetiq. Në ditën e dytë, Mishetiq mbylli marrjen në pyetje të Hillit dhe më pas atij i parashtroi pyetje avokati mbrojtës i Jakup Krasniqit, si dhe Prokuroria.
Qëndroni me ne!
Çfarë tha Hill në dy ditët e para të dëshmisë?
Në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Christopher Hill, tha se Hashim Thaçi nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, UÇK-ja nuk kishte strukturë me organizim hierarkik.
Sipas Hillit, Thaçi nuk mund të merrte vendime në emër të UÇK-së gjatë bisedimeve në Rambuje, duke shtuar se ai nuk ishte komandant, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.
Për herë të parë Hill tha se u takua me Thaçin më 1998.
Në ditën e dytë të dëshmisë, Hill tha se ai po merrte pjesë në këtë proces gjyqësor pasi nuk besonte, dhe as nuk kishte dëgjuar që Thaçi gjatë luftës kishte urdhëruar për aktivitete të paligjshme.
Ai foli edhe për rolin e Jakup Krasniqit, duke argumentuar se ai nuk ishte një nga figurat kyç të UÇK-së.
Sa i përket rolit të Rexhep Selimit, ish-diplomati amerikan tha se nuk mbante mend që ai të kishte ndonjë pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.
Hill tha, po ashtu, se nuk ishte i sigurt që Thaçi ishte një ndër themeluesit e UÇK-së.
Sipas tij, problemi më i madh për amerikanët ishte që të gjenin njerëzit që mund të flisnin në emër të UÇK-së dhe më pas të negocionin me ta.
Trupi gjykues e pyet Hillin se kush ishte përgjegjës në UÇK
Trupi gjykues pyetin Christopher Hillin se kush ishte përgjegjës në UÇK. Ai tha se ky ishte problemi, pasi amerikanët nuk gjenin një pikë kontakti të konfirmuar për të cilin mund të komunikonin për të ardhmen.
"Adem Demaçi fliste për rolin e tij në UÇK, por askush nuk na e konfirmoi këtë", tha Hill.
"Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti me të cilin mund të komunikonim për të ardhmen. Pavarësia e Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thoshin ky ishte qëllimi", shtoi ai.
Hill: S’e dinim kush i lëshonte komunikatat e UÇK-së
Hill tha se nuk e dinte se kush i lëshonte komunikatat e UÇK-së, ku përmendeshin edhe emra të udhëheqësve, andaj tha se nuk e dinte nëse kjo organizatë kishte një strukturë.
“Nuk mund t’i përdornim komunikatat për të përcaktuar një strukturë bazë hierarkike”, tha ai.
Kur u pyet për drejtorinë politike të UÇK-së, Hill tha se kishte mësuar që Thaçi ishte pjesë e këtij organi, por nuk e dinte se kush tjetër ishte pjesë e saj.
“Kishte shumë persona, që nuk ishin në Qeveri, apo në agjenci të tjera amerikane që përpiqeshin të mësonin se kush e udhëhiqte UÇK. Kur dilnin emra të rinj, ne interesoheshim. Një prej këtyre emrave ishte drejtori publik. Por, ne duhej ta komunikonim këtë person”, tha ai.