Hill: S’kam dëgjuar që drejtoria politike ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm
Christopher Hill tha se s’kishte dëgjuar që drejtoria politike ishte pjesë e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së apo “që drejtonte ndonjë gjë”.
“Supozimi ynë ishte që shtabi i përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej nga komandantë lokalë që ishin bashkuar në një moment dhe drejtoria politike ishte më shumë organi që merrej me botën e jashtme”, tha ai.
Sipas tij, personat brenda drejtorisë politike po tentonin të konsolidonin pozicionin e tyre, por nuk kishte një strukturë komanduese.
“Ideja që drejtoria kishte ndonjë rol brenda shtabit ishte diçka që personat brenda drejtorisë, përfshirë Demaçin ishte përpjekje për të treguar se ne jemi përgjegjës”, tha ai.
"Dhe fakti që s’mund të gjenim një person që fliste në emër të të tjerëve, i konfirmoi dyshimet tona".
Ai tha se shkoi në Shqipëri për t’u takuar me Xhavit Halitin pasi disa persona në Qeverinë amerikane besonin se ai ishte personi përgjegjës, duke shtuar se edhe udhëtimet brenda Kosovës u bënë me qëllim që të gjendej personi që mund të fliste në emër të UÇK-së.
Hill: Demaçi nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunohej
Trupi gjykues e pyeti Hillin për Adem Demaçin. Sipas diplomatit amerikan në pension, Demaçi ishte një person që kishte qëndrime të ashpra ndaj Serbisë dhe “një lloj mllefi” pasi kishte qenë i burgosur.
“Ai nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje, të punoje në një dokument. Kishte opinione shumë të forta. Por, në aspektin e bashkëpunimit ishte i vështirë dhe ne nuk ishim të interesuar ta promovonim atë si person”, tha Hill.
I pyetur nëse ishte kundër që Demaçi të bëhej pjesë e ekipit për në Rambuje, Hill tha se nuk ishte në favor që ai të merrte rol udhëheqës.
“Në mungesë të komandës, kishte luftë mes njerëzve për pozicione. Ai mendonte se kishte vuajtur më shumë dhe mendonte se i takonte një rol udhëheqës. Unë nuk doja që ai të ishte personi që ta konsolidonte këtë rol. Ishte shqetësim”, tha ai.
Hill: Italianët ishin më skeptikë ndaj sjelljes së UÇK-së
Gjykatësi Guenael Mettraux shfaqi një kabllogram ku ministri i atëhershëm i Jashtëm i Italisë, Roberto Dini, ishte ankuar për “Komunikatën numër 31 të UÇK-së”. Sipas kabllogramit, ai e lexoi këtë komunikatë gjatë takimit në Rambuje dhe kërkoi shpjegim ku thuhej se UÇK-ja nuk mbështeste përpjekjet e Rambujesë.
Hill tha se “italianët ishin më skeptikë ndaj sjelljes së UÇK-së”.
Në kabllogramin e lexuar, citohej Thaçi të ketë thënë se çfarëdo marrëveshje që do të arrihej në Rambuje, UÇK-ja do të ishte e obliguar ta zbatonte në terren. “Unë e garantoj këtë, unë e kam kompetencën ta bëjë këtë”, thuhej në kabllogram.
Hill tha se ministri italian i shprehu shqetësimet te Sekretarja e Shtetit, Albright.
Më pas Hill tha se bisedoi me Thaçin që të shmangej situata, pasi “kjo nuk na ndihmonte fare".
“Në thelb UÇK-ja po përpiqej të krijonte probleme mes neve dhe anëtarëve të tjerë të grupit të kontaktit. Unë i thashë UÇK-së mos insistoni më shumë seç duhet, ne jemi të interesuar të kemi raporte të mira me aleatët tanë, në këtë rast Italinë”, tha Hill, duke shtuar se kërkoi nga Thaçi përkushtim të plotë për procesin e bisedimeve.
Hill: Isha i kënaqur që i gjithë delegacioni i Kosovës u pajtua me marrëveshjen në Rambuje
I dërguari i SHBA-së për Kosovën në kohën e luftës, Christopher Hill, u pyet për procesin e Rambujesë. Ai tha se gjatë bisedimeve ai ishte optimist se Rambujeja do të funksiononte.
Ai tha se morën sinjale nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së se e përkrahnin marrëveshjen, por tregoi se kishin shqetësime se çfarë do të ndodhte në Serbi, pasi nuk e nënshkroi marrëveshjen.
“Shqiptarët u kthyen në Kosovë për të gjetur paqe, pas Rambujesë serbët u kthyen në Serbi për t’u përgatitur për luftë”, tha ai.
Kur u pyet se kush e nënshkroi marrëveshjen, Hill tha se nuk i kujtohej.
“Ajo çfarë më kujtohet është se i gjithë delegacioni i Kosovës ishte dakord për marrëveshjen dhe ishin pozitivë për nënshkrimin në Paris. Isha shumë i kënaqur, që ata s’kishin pasur qasje të njëjtë, në atë moment ishin në një mendje, ishin bashkë”, tha ai.
Hill u pyet nëse Italia kishte ngurruar për marrëveshjen, pasi Serbia nuk e kishte nënshkruar. Hill tha se marrëveshja ishte mesazh për serbët se “kjo do të ndodhë dhe është mirë që të bëheni pjesë e procesit”.
Sipas tij, ky proces hodhi poshtë idenë e Sllobodan Millosheviqit që "shqiptarët nuk pajtohen për asgjë".
“Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne, po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim se e arritëm marrëveshjen, por t'i do të bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, u shpreh Hill.