Çfarë tha Hill në Hagë?
Gjatë dëshmisë treditore në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, diplomati amerikan Christopher Hill foli për rolin e Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në negociatat në Rambuje.
Ai tha se përshtypja e tij ishte që Thaçi nuk ishte një figurë vendimmarrëse brenda UÇK-së, pasi kujtoi se gjatë negociatave në Rambuje atij i duhej të konsultohej paraprakisht me të tjerët brenda UÇK-së dhe nuk mund të merrte vendime krye më vete.
Në ditën e tretë të dëshmisë, trupi gjykues e pyeti Hillin nëse UÇK-ja ishte e strukturuar dhe ai përsëriti qëndrimin se nuk kishte një hierarki të mirëfilltë.
Megjithatë, ai tha se UÇK-ja tentonte të binde SHBA-në se ishte një organizatë dhe ushtri e strukturuar mirë.
Gjykatësit e pyetën edhe për takimet e tij me udhëheqësin e atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq. Hill tha se Millosheviq shqetësohej që SHBA-ja po anonte nga UÇK-ja dhe po linte anash LDK-në.
Po ashtu, nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, sipas tij, hodhi poshtë pretendimin e Millosheviqit se shqiptarët nuk mund të bëheshin bashkë e të pajtoheshin për ndonjë gjë.
Hill përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në ditët paraprake të dëshmimit, se nuk mendonte se Thaçi ishte një nga themeluesit e UÇK-së, nuk e dinte kush ishte përgjegjës në UÇK dhe kush i lëshonte komunikatat.
Diplomati amerikan në pension edhe në ditën e tretë të dëshmisë përsëriti se nuk kishte informacione se Thaçi ishte përshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm të shkeljes të të drejtave të njeriut.
Me këtë përmbledhje, po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të dëshmisë së Hillit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pas Hillit, dëshminë e ka vazhduar Mike Durkee, i cili kishte qenë këshilltar politik për katër komandantë të NATO-s për Evropë (1993-2009) dhe këshilltar i gjeneralit amerikan, Wesley Clark më 1999, i cili udhëhoqi fushatën e aleancës kundër caqeve serbe që çoi në çlirimin e Kosovës.
Faleminderit që na ndoqët!
Hill përfundon dëshminë
Diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill ka përfunduar dëshminë treditore para Gjykatës Speciale në Hagë, në cilësinë e dëshmitarët mbrojtës të Hashim Thaçit.
“Ishte një përvojë e veçantë”, tha Hill.
Hill flet për komentet e Millosheviqit për Thaçin
Christopher Hill sërish u pyet nga avokati i Thaçit, lidhur me takimin me Sllobodan Millosheviqit, kur ai kishte thënë se Thaçi “ishte person që torturon dhe vret njerëz”.
Ai përsëriti qëndrimin se nuk kishte asgjë që sugjeronte se Thaçi ishte përfshirë në shkelje në të drejtat e njeriut.
Sa i përket dy takimeve me Millosheviqit, Hill tha se udhëheqësin serb e shqetësonte fakti që “ne po anonim më shumë më shumë nga UÇK-ja se LDK-ja”.
Hill: Thaçi nuk ishte vendimmarrës
I fundit nga trupi gjykues që i parashtroi pyetje Hillit ishte gjykatës Christoph Barthe. Ai kërkoi nga Hilli të shpjegonte se si ishte e mundur që Thaçi, që Hill tha se nuk e dinte nëse ishte themelues i UÇK-së, të merrte një rol kaq të madh në Rambuje dhe më pas në Qeverinë e përkohshme të Kosovës.
Hill tha se për këtë s’ka shpejgim, por mendon se Thaçi s’ishte vendimmarrës.
“S’kam shpjegim, por kam mendime. Në nga to është mbase nuk ishte aq i fuqishëm sa shikohej nga jashtë. Sepse çdo vendim që merrte ai vinte si rezultat i shumë konsultimeve pararendëse. Përshtypja ime është që ai ishte një bashkëbisedues i besueshëm, por nuk ishte vendimmarrës. Kjo përshtypje bënte kuptim kur ai na tha se nuk mund të pajtohej lidhur me atë që ishte bërë në Rambuje, dhe shembull na tha që nëse pajtohej pa u konsultuar kur të kthehej do ta vrisnin. Një vendimmarrës nuk e bën një koment të kësaj natyre. Unë e kam kuptuar se ai ishte i besuar për të mbledhur informacione. Atij i besohej të parashtronte argumentet e UÇK-së, por nuk ishte i besuar në vendimmarrje, nuk i ishte lënë në dorë vendimmarrja”, tha Hill.