Hill pyetet për madhësinë e UÇK-së
Gjykatësi Geynor lexoi një dokument, ku një burim i mbrojtur kishte pretenduar se UÇK-ja kishte 30 mijë ushtarë dhe po aq armë.
Në dokumentin e shkruar nga Burns, tha gjykatësi, SHBA-ja vlerësonte se UÇK-ja kishte 22 mijë anëtarë, kishte zona dhe secila prej tyre kishte pesë brigada dhe pesë batalione me 140-150 persona.
Hill tha se nuk e di se si është mbledhur ky informacion dhe nuk i kujtohej nëse inteligjenca amerikane e kishte konfirmuar një shifër të tillë.
Por, tha se për të nuk ishte e rëndësishme se sa brigada e batalione kishte UÇK-ja.
“Megjithatë, lidhur me vazhdimin e negociatave, situata nuk ndryshonte për mua, sepse ne na duhej UÇK-ja si pjesë e negociatave pavarësisht se sa brigada kishin. Ne donim që të mos e linin mënjan LDK-në, se ajo nuk kishte rëndësi, siç thoshin disa”, tha Hill.
Sipas këtyre shifrave, Hill tha se UÇK-ja del të ketë qenë një forcë e madhe, “por kjo nuk më interesonte”, pasi sipas tij, për negociata ai dëshironte që të kishte një grup përfshirës, “nga UÇK-ja, LDK-ja dhe të pavarurit dhe për të gjetur një zgjidhje”.
Hill: Përshtypja ime është që Thaçi nuk mund të lëvizte gjërat brenda UÇK-së
Gjykatësi Gaynor e pyeti Hillin nëse pajtohej që UÇK-ja mund të përshkruhej si një lëvizje çlirimtare e armatosur.
Ai tha se po, megjithatë shtoi se UÇK-ja kishte grupe që vepronin “sipas kokës së tyre”.
Kur u pyet të bënte dallimin mes një udhëheqësi politik dhe ushtarak në kuadër të një lëvizjeje të tillë, Hill tha se Thaçi nuk i dukej se mund të “lëvizte gjërat brenda UÇK-së”.
“Udhëheqësi politik është një person që luan një rol të ministrit të Jashtëm, nëse mund ta them kështu, dhe nuk është përgjegjës për punët e brendshme. Përshtypja ime është që nëse shikoni historikun e Thaçit, formimin e tij, nuk ka asgjë që sugjeron se mund të lëvizte gjërat brenda UÇK-së. Por, në pikëpamjen e jashtme ai e kuptonte se si funksiononte bota dhe e kuptonte që është e rëndësishme që SHBA-ja të ishte në anën e tyre”, tha ai.
Hill: UÇK-ja dëshironte të tregonte se ishte përgjegjëse për Kosovën
Gjykatësi Fergal Gaynor e pyeti Hillin për një kabllogram të 3 nëntorit 1998, të shkruar nga ish-diplomati amerikan Sean Burns, ku jepeshin detaje për strukturën e UÇK-së, përfshirë drejtorinë politike dhe shtabin e përgjithshëm.
Hill tha se ai nuk pajtohej me këtë përshkrim të Burns, dhe se i dukej i ekzagjeruar. Ai tha se ka gjasa që këto informacione Burns i ka marrë nga burimet e UÇK-së.
"Sean ishte më i prirë se unë të besonte se ekzistonte një objekt që kishte linjën hierarkike të komunikimit, që njihej ndryshe si UÇK-ja dhe termi komisar është term perëndimor. Megjithatë, ai mendonte se ekzistonte një strukturë e mirëorganizuar. Unë nuk ndaja të njëjtin mendim. Unë e respektoj shumë Seanin, por mendoj se kjo ishte një orvatje për të përshkruar një organizatë dhe mendoj se e kishte ekzagjeruar pak përshkrimin e kësaj organizate", tha Hill.
Ai tha se këto informacione nuk synonin të thoshin të vërtetën, por të kishin ndikim.
“Ishte përpjekje për të na bindur ne dhe për të na thënë se kjo është një organizatë dhe një ushtri e mirëorganizuar. Unë nuk e shihja njësoj si ai. Dhe të jem i sinqertë nuk pajtohem me këtë deklaratë dhe ia kam thënë”, tha Hill.
Sipas Hillit, ata nuk kishin parë një organizatë të strukturuar mirë, sipas standardeve perëndimore.
“UÇK-ja donte të tregonte se ne jemi përgjegjës për Kosovën, jo LDK-ja. Nën dy, nëse na duhen aleatë në një betejë kandër Serbisë, atëherë duhet të themi se kemi një ushtri të mirë në terren dhe emri i saj është UÇK. Dhe, meqë kemi ushtri dhe kontroll politike, e vetmja që mungonte ishte forca ajrore. Shpesh na thoshin se duhet të përfshiheshim në fushatën bombarduese. Kjo është shkruar për këtë pasur ndikim, jo për të informuar”, tha Hill.
Hill: Millosheviqi mendonte se po hiqnim dorë nga Rugova për UÇK-në
Christopher Hill u pyet pse ish-udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmendi me emër Hashim Thaçin gjatë takimit të tyre.
“Millosheviqi mendonte se ne po largoheshim nga [Ibrahim] Rugova dhe mendonte se ishte gabim i rëndë sepse mendonte se atij i duhej të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër. Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur”, tha Hill.
Sipas Hillit, Millosheviq ishte i shqetësuar se “ne do ta mënjanonim Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partneren tonë. Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt”.
Ai tha se ndjesi të tillë kishin edhe të tjerët dhe kishte edhe brenda SHBA-së që mendonin se duhej komunikuar më shumë me UÇK-në.