Ndërlidhjet

DASH pas takimit në Riad: SHBA-ja dhe Rusia u pajtuan të punojnë drejt paqes në Ukrainë

E përditësuar

Çfarë ndodhi në takimin mes SHBA-së dhe Rusisë në Riad?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:25 0:00

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar të martën për t’i adresuar faktorët “acarues” në marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë, ka thënë të martën Departamenti amerikan i Shtetit, duke e bërë të qartë se përpjekjet janë ende në fazat e para.

Ukraina ndërkaq ka thënë se bisedimet janë mbajtur "për Ukrainën, pa Ukrainën".

“Një thirrje telefonike, e pasuar me një takim, nuk janë të mjaftueshme për paqe të qëndrueshme”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, pas takimit që është zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite dhe ka zgjatur mbi katër orë.

Mes tjerash, ajo ka thënë se palët do të angazhojnë ekipe të nivelit të lartë për t'i dhënë fund luftës sa më shpejt që është e mundur, "në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët".

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, që ka udhëhequr delegacionin e SHBA-së, ka thënë se palët janë pajtuar edhe për të rivendosur stafin e ambasadave dhe që, pos diskutimeve për paqe në Ukrainë, ekipet negociatore do të promovojnë edhe bashkëpunim ekonomik.

Rubio ka folur edhe për mungesën e Ukrainës dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian në tavolinën negociuese.

Ai ka thënë në një konferencë për media se “askush nuk është lënë mënjanë”, dhe që dikur edhe BE-ja do të jetë pjesë e negociatave, sepse edhe blloku evropian e ka sanksionuar Moskën.

Sipas tij, prej këtyre bisedimeve mund të rezultojnë “disa gjëra shumë pozitive për Shtetet e Bashkuara, për Evropën, për Ukrainën, për botën”, por që “e gjitha nis me përfundimin e konfliktit”.

Rubio e ka përmendur edhe faktin që për t'i shënë fund luftës, të gjitha palët do të duhet të bëjnë koncesione.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Zëdhënësja Bruce ka thënë nëpërmjet një deklarate se presidenti amerikan, Donald Trump, dëshiron t’iu japë fund vrasjeve.

“Shtetet e Bashkuara duan paqe dhe janë duke shfrytëzuar fuqinë e tyre në botë për t’i afruar shtetet së bashku. Presidenti Trump është lideri i vetëm në botë që mund t'i bindë Ukrainën dhe Rusinë të arrijnë pajtueshmëri”, ka thënë ajo.

Por, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar bisedimet e mbajtura në Riad mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë lidhur me luftën në Ukrainë.

Bisedimet “po mbahen mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Shteteve të Bashuara të Amerikës. Për Ukrainën, por pa Ukrainën”, tha Zelensky gjatë një vizite zyrtare në Turqi më 18 shkurt.

Ai tha se Evropa duhet të përfshihet në diskutime për përfundimin e luftës. Udhëheqësi ukrainas tha se ka shtyrë vizitën e tij në Arabinë Saudite për 10 mars, duke thënë se Ukraina po pret një delegacion amerikan në Kiev.

Zelensky tha se as Rusia, e as Ukraina nuk mund të fitojnë në fushëbetejë.

Çfarë tha pala ruse?

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë pas takimit se Rusia dhe SHBA-ja janë pajtuar për të krijuar kushte për të rikthyer plotësisht bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve.

Edhe Lavrov, sikurse Rubio, e ka përmendur në konferencë për media që palët janë pajtuar për të emëruar ambasadorë në kryeqytetet e dy vendeve, heqjen e “pengesave për misione diplomatike”, përfshirë kufizimet në transfere bankare në ambasada, emërimin e përfaqësuesve për të vazhduar negociatat për dhënie fund të luftës në Ukrainë, dhe krijimin e kushteve për rikthim të bashkëpunimit në sfera të ndryshme.

“Ka qenë bisedë shumë e dobishme. Ne e kemi dëgjuar njëri-tjetrin”, ka thënë ndër tjerash Lavrov.

Lavrov ka thënë, po ashtu, se gjatë takimit është përmendur që Trump ka qenë “i pari prej liderëve perëndimorë” që ka thënë se “shtyrja e Ukrainës drejt NATO-s është një prej gabimeve më të mëdha të presidentit [amerikan, Joe] Biden”.

Ai ka theksuar se Putini e ka bërë të qartë vazhdimisht se zgjerimi i NATO-s dhe përfshirja e Ukrainës në aleancë do të konsiderohet “kërcënim direkt” për Rusinë.

Yuri Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.

Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Megjithatë, ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.

Lavrov dhe Ushakov gjatë takimit në Riad.
Lavrov dhe Ushakov gjatë takimit në Riad.

Shefi i Fondit Sovran të Pasurisë së Rusisë, Kirill Dimitriev, ka thënë se delegacionet ruse dhe amerikane kanë nisur ta dëgjojnë njëra-tjetrën, por është shumë herët për të folur për kompromise.

“Mendoj që është shumë herët për të folur për kompromise, mund të them se palët kanë nisur të komunikojnë me njëra-tjetrën, kanë nisur ta dëgjojnë njëra-tjetrën, e kanë nisur dialogun”.

Pala amerikane - që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff - ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.

Pala ruse - e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin - ka thënë se prioritet do të ketë normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

Pamje nga takimi në Riad.
Pamje nga takimi në Riad.

Zelensky: Duhet të shmangen gabimet në bisedimet për paqe

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka kritikuar takimin në Riad, duke thënë se janë zhvilluar bisedime për Ukrainën, por pa Ukrainën.

Ai nuk është ftuar në takimin e 18 shkurtit në Riad, dhe ka qenë kritik edhe më parë për këto zhvillime.

Duke folur në një konferencë për media nga Ankaraja, Zelensky ka thënë se është thelbësore që “secila bisedë për dhënie fund të luftës të mos bëhet mbrapa shpinës së palëve të përfshira”.

Për paqe afatgjatë, ai ka thënë se “është e rëndësishme të mos bëhen gabime”. Sipas tij, në tavolinën e negociatave duhet të përfaqësohen të gjitha palët - Amerika, Evropa dhe Ukraina.

Teksa vazhdonin bisedimet në Riad, Zelensky po zhvillonte një vizitë në Turqi.

Kremlini: Putini do të bisedojë me Zelenskyn, ‘nëse është e nevojshme’

Derisa zhvilloheshin bisedimet, Kremlini ka thënë se presidenti Putin është i përgatitur për të biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “nëse është e nevojshme”.

“Vetë Putini ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Zelenskyn, nëse është e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.

“Megjithatë, duhet diskutuar bazën ligjore të marrëveshjeve, duke marrë parasysh që legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në pikëpyetje”, ka thënë ai.

Zelensky është zgjedhur president më 2019 për një mandat pesëvjeçar.

Sipas ligjit, atij është dashur t’i skadojë mandati në maj të vitit 2024, mirëpo zyrtarët ukrainas kanë thënë se vazhdimi i luftës dhe shpallja e gjendjes së luftës e bëjnë të pamundshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ligji i Ukrainës për gjendjen e luftës ndalon mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe atyre presidenciale.

Peskov ka thënë se Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për aq kohë sa nuk përbën kërcënim për sigurinë.

“Kjo është e drejtë sovrane e secilit shtet. Po flasim për integrim dhe procese ekonomike, dhe në këtë pikë, natyrisht, askush nuk mund të diktojë diçka për një shtet tjetër. Nuk do ta bëjmë këtë”.

“Por, qëndrimi ynë në çështjet e sigurisë, aleancat ushtarake, është krejt tjetër. Ajo është temë tjetër dhe të gjithë e dinë këtë”.

Takimi i 18 shkurtit në Riad është zhvilluar pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.

“Ky mëtohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, mirëpo gjërat po lëvizin shpejt”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik që aktualisht është hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të avancohet në këto kohë paqartësish”.

Rëndësia e takimit

Bisedimet mes dy vendeve janë të parat të nivelit të lartë në vjetët e fundit.

Në delegacionin amerikan nuk është përfshirë gjenerali i pensionuar, Keith Kellogg, i dërguar i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për të negociuar një zgjidhje për luftën.

Zelensky ka thënë se Kellogg do të arrijë në Kiev më 20 shkurt për “bisedime të gjata për garanci të sigurisë”.

Ndërkohë që liderët evropianë janë takuar në Paris në një samit urgjent për Ukrainën dhe çështje të mbrojtjes, Lavrov ka thënë se nuk sheh arsye që evropianët të përfshihen në diskutime.

“Asgjë e madhe nuk do të arrihet derisa të mos jenë Trumpi dhe Putini në dhomën e njëjtë”, ka thënë Andrew D’Anieri, hulumtues i lartë për Këshillin Atlantik, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo do të thotë se ka ende kohë dhe shumë mundësi që evropianët dhe ukrainasit të formësojnë idetë e administratës Trump”.

Çka për deklaratat për t'i dhënë fund luftës?

Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump është zotuar për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë shumë shpejt, ndërsa tani administrata e tij synon të përmbushë këtë zotim në 100 ditët e para prej marrjes së detyrës.

Bisedimet në Arabinë Saudite janë zhvilluar pas një morie deklaratash që janë bërë prej tij dhe zyrtarëve amerikanë në ditët e fundit, lidhur me luftën në Ukrainë.

Në udhëtimin e tij të parë zyrtar në Evropë, prej marrjes së pozitës, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë më 12 shkurt në Bruksel se Uashingtoni nuk e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO, në kuadër të marrëveshjes për paqe, dhe është joreale që Kievi t’iu rikthehet kufijve që ka pasur më 2014, para se Rusia të pushtonte Gadishullin e Krimesë dhe lindjen e Ukrainës.

Hegseth ka thënë po ashtu se trupat ushtarake evropiane duhet të jenë forca kryesore për të garantuar sigurinë pas përfundimit të luftës në Ukrainë, dhe që trupat ushtarake amerikane nuk do të përfshihen.

Ditën e njëjtë, Putin dhe Trump kanë zhvilluar bisedë telefonike, të cilën presidenti amerikan e ka përshkruar si sinjal për dhënie fund të izolimit diplomatik të Rusisë, meqë dy liderët është thënë të kenë diskutuar për “bashkëpunim ekonomik” dhe Trump ka bërë thirrje për kthimin e Moskës në grupin e shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7).

Rusia është përjashtuar nga ky grup pasi e ka aneksuar Krimenë më 2014.

Në çfarë pozicioni është Rusia?

Fillimisht Putini pati synuar kapjen e Kievit dhe instalimin e një qeverie të afërt me Moskën.

Meqë ky plan i ka dështuar, Kremlini ka qenë i ashpër me tentimet për të pushtuar sa më shumë territor ukrainas që mundet dhe për t’ia dobësuar Ukrainës kapacitetet ushtarake.

Përgjatë thirrjes telefonike, Putin i ka thënë Trumpit se dëshiron t’i zgjidhë “arsyet e konfliktit”, duke dhënë sinjale se Rusia ka hequr dorë prej idesë që t’ia pamundësojë Ukrainës idetë e integrimit me Perëndimin.

“Nëse do të isha unë Putini, unë do të përpiqesha të shfrytëzoja gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të kuptuar nëse mund t’iu afrohem sa më shumë pozicioneve të mia maksimale, që i kam pasur qysh prej nisjes së luftës”, ka thënë John Hardie, ekspert për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracive, institut me seli në Uashington, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Gould-Davies, ish-diplomat britanik, ka thënë se Kremlini mund të shtyjë përpara kërkesa të ngjashme me ato të vitit 2021, para se të niste luftën në shkallë të plotë.

Atëbotë, Lavrovi pati kërkuar në bisedimet me palën amerikane që Ukrainës t’i pamundësohet anëtarësimi në NATO, si dhe zhvendosjen e armëve dhe ushtarëve në pozicionet që kanë qenë më 1997, para zgjerimit të aleancës ushtarake në lindje.

“Putini ka qenë i qartë që nuk është i interesuar në armëpushim, ai dëshiron vetëm dhënie fund të luftës”, ka thënë Gould-Davies.

“Kjo do të thotë një lloj zgjidhjeje për gjërat themelore dhe krijimin e një rendi të ri rajonal që mund të jetë më i favorshëm për Rusinë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG