Ndërlidhjet

Çfarë mësuam nga bisedimet SHBA-Rusi në Arabinë Saudite?


Delegacioni amerikan dhe ai rus në Riad.
Delegacioni amerikan dhe ai rus në Riad.

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë kanë përfunduar bisedimet e tyre të para lidhur me luftën në Ukrainë, derisa Moska ka paraqitur kërkesa të reja për zhvillimin e negociatave të gjera për t’i dhënë fund konfliktit gati trevjeçar.

Takimi prej gati pesë orësh në Riad është pjesë e një përpjekjeje të madhe diplomatike nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës dhe u përshkrua nga zyrtarët amerikanë si diskutime eksploruese që mund të hapin rrugën për një takim të mundshëm ballë për ballë ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Pas përfundimit të bisedimeve në kryeqytetin saudit, zyrtarët rusë u thanë gazetarëve se diskutimet ishin një hap i parë i mirëpritur. Këshilltari kryesor për politikën e jashtme i Rusisë, Yury Ushakov, i cili ishte pjesë e delegacionit të vendit, tha se takimi “shkoi mirë.”

Ushakov, gjithashtu, tha se të dyja palët ranë dakord që negociatorët të diskutojnë për Ukrainën dhe se përmendën shkurtimisht kushtet e nevojshme për një samit Putin-Trump.

Ai shtoi se vendimi për të nisur bisedime më të thella me Shtetet e Bashkuara rreth Ukrainës në fund të fundit do t’i takojë vetë Putinit.

“Ne jemi të gatshëm për këtë, por ende është e vështirë të flasim për një datë specifike për takimin e dy liderëve”, tha Ushakov, i cituar nga Associated Press.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se delegacionet nga të dyja vendet janë pajtuar të “adresojnë çështjet e ndjeshme” në marrëdhëniet e tyre me qëllimin e normalizimit të lidhjeve diplomatike pas viteve të tensioneve.

Zëdhënësja Tammy Bruce tha në një deklaratë se Moska dhe Uashingtoni gjithashtu ranë dakord të caktojnë ekipe të nivelit të lartë për bisedimet rreth Ukrainës, “duke punuar për një rrugë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur në një mënyrë që është e qëndrueshme, e vazhdueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët”.

Ajo shtoi se të dyja vendet do të eksplorojnë “bashkëpunimin e ardhshëm,” por paralajmëroi se një afat i saktë mbetet ende i paqartë, duke vënë në dukje se “një telefonatë e ndjekur nga një takim nuk është e mjaftueshme për të vendosur një paqe të qëndrueshme,” derisa theksoi se bisedimet në Riad janë një hap i hershëm në një proces më të gjatë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG