Të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës gjatë të enjtes së 1 majit.
Faleminderit që na ndoqët!
Lulzim Peci: Është koha e fundit që të kërkohet interpretim nga Gjykata Kushtetuese
Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, ka thënë se përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjë "akrobacione me mënyrën e votimit për kryetarin e Kuvendit paraqet aktin e fundit të humbjes së besimit dhe kuptueshmërisë së dialogut politik për tejkalimin e krizës së tanishme”.
Sipas tij, mënyra e votimit nuk e zgjidh krizën, por këtë mund ta bëjë vetëm marrëveshja politike.
“Imponimi nuk zgjidh asgjë, përkundrazi tregon moskapacitet për marrëveshje! E drejta për të propozuar nuk nënkupton të drejtën e zgjedhjes”, shkroi Peci në Facebook.
Peci ka vlerësuar se "është koha e fundit që të kërkohet interpretim nga Gjykata Kushtetuese, për ta tejkaluar këtë bllokadë".
KDI: U cenua integriteti i Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me zhvillimet e sotme në vazhdimin e seancës konstitutive.
“Ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare nga kryesuesi dhe pa bazë në Rregulloren e Punës së Kuvendit, përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit”, thuhet në një reagim të KDI-së në Facebook.
“Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare”, thekson KDI.
“Çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit”, thuhet më tutje në reagim.
“KDI fton kryesuesin e seancës, z. Dehari, dhe të gjithë deputetët, e në veçanti grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara në Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që i kërkon funksioni përfaqësues”, përfundon reagimi i KDI-së.
Murati: PDK, LDK e AAK refuzuan të zhbllokojnë procesin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati, ka thënë se me refuzimin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) u panë se janë “kundër zhbllokimit, kundër konstitutimit të Kuvendit”.
Murati ka deklaruar para gazetarëve se votimi i fshehtë për konstituimin e Kuvendit u mundësua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese më 2014.
"PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan ta zhbllokojnë procesin", u shpreh Murati.
Ai i ka quajtur "joracionale" qëndrimet e partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Murati ka thënë se partia e tij nuk tërhiqet nga qëndrimi se Albulena Haxhiu duhet të votohet kryetare e Kuvendit.