Ndërlidhjet

Hoti: Po presim të qartësohet procesi i dialogut


Hoti: Kosova tashmë ka bërë kompromis me Pakon e Ahtisarit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:48 0:00

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mirëpritur rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në negociatat me Serbinë, duke thënë se kjo nuk do të thotë dy lloj negociatash, por që asnjëra nuk bën pa tjetrën. Hoti nuk është i sigurt nëse marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet para nëntorit, kur pritet të mbahen zgjedhjet në SHBA. Sipas tij, Kosova ka bërë kompromise në Pakon e Ahtisarit kur ka shpallur pavarësinë dhe se nuk bën kompromise tjera. Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hoti tha se nuk ka frikë se qeveria e tij do të rrëzohet dhe ai tha se nuk sheh asnjë problem që qeveria ta përfundojë mandatin. Kryeministri Hoti u shpreh se ende nuk ka vendosur nëse zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen edhe në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zotëri kryeministër, tashmë ju keni hequr masat e reciprocitetit si kusht kryesor për të filluar bisedimet me Serbinë. Kur do të mbahet takimi i parë?

Avdullah Hoti: Unë besoj që shumë shpejt. Komunikimet që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë, ka qenë kërkesë e tyre që ne të tregojmë vullnet si qeveri, si shtet për t'i dhënë mundësi dialogut. Këtë gjë e kemi bërë sepse dëshirojmë t’i ruajmë partneritetet tona që kemi me miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë mbështetur shtetësinë e Kosovës deri në këtë pikë. Ne, jemi të gatshëm të hyjmë në këtë proces. Unë kam prezantuar në dy-tri ditët e fundit ...jam takuar në fakt me të gjithë partnerët e koalicionit dhe dje publikisht kam prezantuar qëndrimin tonë, platformën tonë për procesin e dialogut.

Radio Evropa e Lirë: Në njërën anë është SHBA-ja me të dërguarin Richard Grenell dhe në anën tjetër është Bashkimi Evropian me Mirosllav Lajçak. A janë dy lloj negociatash këto që do të ndodhin?

Avdullah Hoti: Jo, unë më shumë po i shoh... nuk po i quaj keqkuptime, po ndoshta interpretime të ndryshme lidhur me rolin që ka BE-ja dhe SHBA-ja. Për ne si qeveri, si shtet, roli i BE-së dhe i SHBA-së është komplementar. Neve na duhet mbështetja e plotë e BE-së dhe angazhimi i fuqishëm në këtë proces edhe gjatë fazës së arritjes së marrëveshjes, por edhe gjatë zbatimit të saj. Nuk bëjnë njëra pa tjetrën. Kështu e shohim ne këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se është duke pritur një propozimin për këtë çështje. A po e prisni edhe ju një propozim të tillë? Nga kush duhet të vijë ai propozim?

Avdullah Hoti: Po, besoj institucionet e BE-së, tani kanë të emëruar për çështje të dialogut (v.j. Mirosllav Lajçak) dhe përfaqësuesi i Lartë (i BE-së, Josep Borrell) gjithashtu ka udhëzime të qarta nga Komisioni Evropian për të çuar përpara këtë proces. Ka vëmendje të madhe nga vendet kyçe të BE-së, nga Gjermani dhe Franca, për procesin e dialogut. Është me interes që dhe Uashingtoni ka fokus shumë të madh që përfundimisht të mbyllen çështjet e hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe tani po presim. Ne sapo kemi marrë detyrën, po presim që në ditët e ardhshme të qartësohet procesi që do të zhvillohet përpara.

Vuçiq: Heqja e reciprocitetit krijon hapësirë për dialog
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:22 0:00

Hoti: Kosova tashmë ka bërë kompromis me Planin e Ahtisarit

Radio Evropa e Lirë: A do të arrihet marrëveshja me Serbinë para mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA?

Avdullah Hoti: Nuk e di. Nuk mund të them asnjë gjë për këtë. Atë që mund të siguroj është që pala kosovare, unë si kryeministër jam plotësisht i përgatitur, si qeveri jemi plotësisht të përgatitur, me një platformë të qartë me një qasje të qartë, strategji të qartë se si hyjmë në këtë proces të dialogut, se çfarë dëshirojmë të arrijmë në fund nga ky dialog dhe nevojën që të kemi gjithpërfshirje në proces. Tash, dinamika e dialogut dhe përfundimi i marrëveshjes sigurisht nuk varet nga ne.

Radio Evropa e Lirë: Nëse në tavolinën e bisedimeve ofrohet ndonjë zgjidhje për shkëmbim të territoreve apo ndarje të Kosovës, a do të largoheni nga ajo tavolinë apo do të pranoni një opsion të tillë?

Avdullah Hoti: Ne shkojmë në proces të dialogut të qartë sa i përket parimeve dhe objektivave të procesit të dialogut. Kjo është më se e qartë, e kam bërë të qartë edhe në paraqitjen publike dje të platformës tonë për dialog.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë kompromisi duhet të bëjë Kosova në mënyrë që të arrihet një marrëveshje, sepse është thënë se për t’u arritur një marrëveshje duhet të bëjnë një kompromis, si Kosova po ashtu edhe Serbia?

Avdullah Hoti: Unë besoj se kompromisi nga ana e Kosovës është pranimi për t’u ulur në tavolinën e dialogut, për të normalizuar marrëdhëniet me shtetin fqinj. Ky është kompromisi që po bëjmë. Të gjitha kompromiset që ne kemi bërë kanë përfunduar më 17 shkurt 2008, me Pakon e Ahtisarit, mbi të cilën është shpallur pavarësia e Kosovës dhe aranzhimet kushtetuese që sot i ka shteti i Kosovës në fuqi.

Kurti: Thaçi dhe Hoti nuk guxojnë të bëjnë marrëveshje me Serbinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:14:25 0:00

Radio Evropa e Lirë: Dhe mendoni që Serbia do të pranojë gjithçka që kërkohet nga Kosova?

Avdullah Hoti: Unë besoj që është edhe në interesin e Serbisë që sa më parë që të normalizojmë marrëdhëniet dhe të përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke.

Hoti: Qeveria do ta plotësojë mandatin e saj

Radio Evropa e Lirë: Ka shumë kritikë që thonë se në rast se arrihet një marrëveshje me Serbinë, menjëherë duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Sa do të zgjasë qeveria juaj?

Avdullah Hoti: Do të zgjasë për aq kohë sa është i qëndrueshëm ky koalicion qeverisës. Unë jam i bindur, dhe nuk shoh asnjë problem që mos të përfundojmë mandatin deri në fund sipas Kushtetutës.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria që ju drejtoni mori 61 vota në kuvend, më pak se qeveria e Vetëvendosjes së bashku me LDK-në, që ishte më herët. A keni frikë se ashtu siç bëtë ju me Albin Kurtin, edhe ndonjë parti brenda koalicionit do të bashkohet me opozitën për t’iu rrëzuar?

Avdullah Hoti: Ne kemi marrëveshje të koalicionit me të gjitha partitë që janë të përfshira në këtë koalicion edhe partitë e shumicës, edhe partitë që përfaqësojnë komunitetet. Unë si kryeministër do kujdesem që të respektoj plotësisht marrëveshjet që kemi arritur brenda koalicionit. Dhe për aq kohë sa të gjithë i respektojmë marrëveshjet që kemi arritur, të cilat janë mjaft parimore dhe janë mbi bazë të Kushtetutës së Kosovës, unë nuk shoh asnjë problem në funksionim.

Kuvendi votoi qeverinë e re
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:03 0:00

Nëse kthehemi prapa dhe shohim stabilitetin e qeverive, lehtë mund të konkludohet që stabiliteti i një qeverie nuk varet nga numrat që i ka në kuvend, por nga kohezioni që ka koalicionin qeverisës. Unë do të kujdesem për këtë kohezion, unë do të kujdesem që të respektojmë plotësisht marrëveshjet e koalicionit dhe të zbatojmë çdo ditë programin qeverisës të cilën e kemi dakorduar.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, “në shqyrtim”

Radio Evropa e Lirë: A do të lejoni mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë në kohë pandemie, kur dihet se në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut nuk po mbahen zgjedhjet lokale për shkak të pandemisë?

Avdullah Hoti: Unë jam në komunikim të ngushtë me ambasadorin e OSBE-së. Ka një aranzhim të institucioneve të Kosovës të vitit 2012 dhe nga viti 2012 e këndej në bazë të atyre dakordimeve të institucioneve të Kosovës për situata të tilla, janë respektuar ato aranzhime. Jam duke komunikuar me ambasadorin, do të shohim në ditët e ardhshme se si do të procedojmë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse lejohet diçka e tillë zoti kryeministër, a është shkelje e ligjeve, e Kushtetutës së Kosovës?

Avdullah Hoti: Unë besoj se jemi në një situatë të veçantë ende. Ka aranzhime, pajtime të institucioneve të Kosovës që nga viti 2012 dhe unë do t’i shqyrtoj ato me kujdes, që çfarëdo organizimi që ndodh në Kosovë të bëhet në përputhje me ato aranzhime, pa cenuar në asnjë drejtim rendin kushtetues dhe ligjet e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Pra, edhe në këtë kohë mund të lejohet një diçka e tillë? Më herët kemi pasur qëndrime, ndoshta edhe të ish-kryeministrit Isa Mustafa, që ka thënë që nuk do të lejojmë hapjen e vendvotimeve, por votat do të grumbullohen në njëfarë forme...

Avdullah Hoti: Sot një javë e kam marr detyrën. Unë jam duke i analizuar me kujdes të gjitha çështjet dhe do të përgjigjem me shumë kujdes.

Pandemia, prioritet i qeverisë

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni të përgatitur nëse do të ketë një valë të re të pandemisë?

Avdullah Hoti: Kjo çështje mbetet prioritet i yni. Unë dje kam mbledhur zyrtarët kryesorë të institucioneve shëndetësore. Duket, në bazë të analizave, që e kemi tejkaluar atë pikën kritike, por na janë rikthyer rastet e paraqitura ditëve të fundit, ndoshta për shkak të lirimit të masave, ndoshta pak para kohe. Tash, profesionistët shëndetësorë, bartësit e institucioneve shëndetësore, janë duke e rritur kujdesin edhe po kërkojnë vëmendje shumë të shtuar të qytetarëve. Edhe me këtë rast, unë kërkoj nga qytetarët që të kenë kujdes të veçantë.

Kemi marrë një vendim nga dita e shtunë në qeveri që të përgatitet një manual nga Ministria e Shëndetësisë për mënyrën sesi duhet të organizohet puna në biznese, puna në institucione, sjellja në kafiteri dhe në çdo vend ku ka takime publike, ku janë të hapura për publikun. Dhe, përtej kësaj, jemi dakorduar gjithashtu që të angazhojmë një numër prej rreth 200 profesionistësh shëndetësorë, që do të shërbejnë, nëse mund t’i quaj, si inspektorat shëndetësor, për të siguruar që ky manual, pra këto rregulla të sjelljes, po respektohen nga qytetarët. Duhet të kemi kujdes, në mënyrë që të mos kemi nevojë që të marrim vendime që të mbyllim prapë ekonominë sepse do të na kushtojë tepër shumë.

Hoti: Do t’i analizojmë shkarkimet e Qeverisë Kurti

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet edhe me një krizë tjetër, atë ekonomike, si pasojë e pandemisë. Si do ta kaloni këtë gjendje. A do të merrni hua ndërkombëtare?

Avdullah Hoti: Po, jemi duke e rishikuar tani buxhetin për vitin 2020, për t’u siguruar që ne marrim parasysh pasojat që ka pasur pandemia në të hyrat buxhetore dhe do të krijojmë – sipas ligjit – Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike, ku do të grumbullojmë mjetet edhe nga buxheti, edhe nga donatorët, edhe nga bankat zhvillimore për të ndihmuar bizneset. Vlerësimet janë që ekonomia është ndikuar rreth 5 për qind të produktit të brendshëm bruto. Ne do të bëjmë përpjekje që deri në vjeshtë të këtij viti, me një listë bukur të pasur të masave për rimëkëmbje ekonomike, të ndihmojmë ekonominë, pra të fusim në ekonomi mjete financiare, së paku për aq sa është ndikuar ekonomia nga kjo pandemi. Edhe pastaj, në periudha më pak afatgjate –që i bie pjesën e mbetur të këtij viti dhe vitin 2021– të hyjmë në projekte zhvillimore të mëdha përmes kredive ndërkombëtare, në mënyrë që ta kanalizojmë zhvillimin ekonomik pak më të hovshëm vitin e ardhshëm.

Unë jam duke e parë si një mundësi të jashtëzakonshme që përmes ristrukturimit ekonomik dhe politikave ekonomike, ta vendosim ekonominë e Kosovës, unë besoj shumë, në një trajektore shumë më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe jo vetëm më të lartë, por më cilësore, duke e orientuar në sektorë dhe në fusha ku punësimi ka vlerë më të lartë të shtuar.

Radio Evropa e Lirë: Në qeverinë e kaluar, ku edhe ju ishit pjesë, janë shkarkuar dhe emëruar shumë borde. A do t’i respektoni vendimet e qeverisë së kaluar?

Avdullah Hoti: Tash, siç ju thash dhe më herët, është java e parë e punës time. Nuk jemi këtu për të shkarkuar njerëz, por do të analizojmë me kujdes të gjitha vendimet që janë marrë, për t’u siguruar që janë në përputhje me ligjin. Është evidente që disa nga këto vendime kanë qenë edhe të motivuara politikisht, siç ka qenë rasti që seanca ka qenë duke u zhvilluar në kuvend për zgjedhjen e qeverisë së re, ndërkohë qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje dhe ka shkarkuar borde dhe njerëz. Do t’i analizojmë, çdo gjë do të bëhet në përputhje me ligjin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG