Për ju që sapo na jeni bashkuar, këto janë pikat kryesore të dëshmisë së deritashme të ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, para Dhomave të Specializuara në Hagë:
- Thaçi nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në - për vendimet ushtarake ai duhej të merrte udhëzime nga komandantët.
- Marrëdhënia e tij me komandantët ishte e distancuar - ai shpesh qëndronte në pozicion të tërhequr krahasuar me ta.
- Diferenca e moshës ndikonte në raportet - komandantët më të moshuar e trajtonin Thaçin si më pak të fuqishëm në vendimmarrje.
- Roli i Thaçit ishte më shumë politik sesa ushtarak - Rubin e përshkroi atë si figurë ndërmjetësuese, jo vendimmarrëse në terren.
- Komandantët i diktonin përgjigjet Thaçit - sipas Rubinit, ata i thoshin atij se si duhej të përgjigjej në negociata.
Rubin për marrëdhënien mes Thaçit dhe komandantëve të UÇK-së
Rubin dëshmoi edhe për marrëdhënien e Thaçit me komandantët e UÇK-së, gjatë procesit të demilitarizimit.
Rubin tha se Thaçi, i ri në moshë krahasuar me komandantët e tjerë, duhej t’u drejtohej atyre për informacion dhe udhëzime mbi vendimmarrjet brenda organizatës.
Ai përshkroi një lloj distancimi të Thaçit ndaj komandantëve, duke nënvizuar se edhe diferenca në moshë ndikonte në mënyrën se si ata komunikonin.
“Ata i thoshin atij se çfarë përgjigjeje të jepte”, tha Rubin, duke theksuar se roli i Thaçit ishte më shumë politik dhe ndërmjetësues.
Rubin: Roli i Thaçit ishte më shumë politik
Rubin rrëfeu detaje nga roli i tij gjatë procesit të demilitarizimit të UÇK-së në Kosovë.
Ai tha se detyra e tij ishte të pasqyronte pikëpamjet e të gjithë aleatëve të NATO-s dhe vendeve pjesëmarrëse në KFOR, ndërsa struktura e UÇK-së ishte e paorganizuar dhe e vështirë për t’u kuptuar, sipas tij.
Rubin tha se Thaçi ishte i ri dhe nuk kishte kompetenca të merrte vendime për aspektet ushtarake të UÇK-së.
Ai përfaqësonte pikëpamjet e komandantëve të tjerë, ndërsa ata e informonin për qëndrimet e tyre, shpjegoi Rubin.
"Nuk u thoshte Hashimi komandantëve se çfarë të bënin, por komandantët i thoshin atij".
Rubin përshkroi gjithashtu tensionet brenda UÇK-së, ku disa komandantë kërkonin të ruanin nivelin maksimal të forcës ushtarake, ndërsa ndërkombëtarët synonin minimumin, për të lehtësuar demilitarizimin.
Ky dialog i vështirë, sipas Rubinit, tregonte qartë se roli i Thaçit ishte më shumë politik sesa ushtarak.
"Unë këtë e përktheva si rol të një ministri të Jashtëm, ose rol politik", tha Rubin.
Rubin për demilitarizimin e UÇK-së
Në fund të qershorit të vitit 1999, Rubin tha se ishte në Kosovë për të mbështetur procesin e demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohën kur lufta po afrohej drejt fundit.
Gjenerali britanik, Mike Jackson, i komandës së re të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, po planifikonte tërheqjen e forcave serbe nga territori i Kosovës dhe negocionte me komandantët e UÇK-së në terren.
Rubin tha se Albright i kishte kërkuar që të shkonte në Kosovë për të ndihmuar gjeneralin Jackson dhe për të siguruar nënshkrimin e Thaçit, të cilin e kishin autorizuar komandantët e UÇK-së.
“Kam qëndruar në Shkup dhe çdo mëngjes udhëtoja në male për të takuar Thaçin dhe komandantët”, tha Rubin.