Ndërlidhjet

James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.
James Rubin në Gjykatën në Hagë, 15 shtator 2025.

Drejtpërdrejt Rubin: Thaçi nuk kishte kompetenca të merrte vendime për UÇK-në

E përditësuar

• Mbrojtja në gjykimin e katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi - nis më 15 shtator dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

• Dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit është ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.

• Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim - akuza që ata i kanë mohuar.


10:17

Rubin për ndërveprimet me Thaçin

James Rubin, në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se gjatë negociatave për paqen në Kosovë në vitin 1999, kishte ndërveprime të drejtpërdrejta me Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.

Rubin u angazhua nga sekretarja e atëhershme e Shtetit amerikan, Madeline Albright, për të mbështetur delegacionin shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë dhe më pas si i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.

Ai vuri në dukje se Thaçi kishte kufizime në autoritetin e tij, duke mos pasur mundësi të nënshkruante marrëveshjet pa miratimin e krahut ushtarak, dhe nuk merrte pjesë në bisedimet teknike.

Megjithatë, Rubin theksoi se që në fillim Thaçi kishte shprehur dëshirën për një Kosovë demokratike, pa dhunë ndëretnike dhe të mbështetur nga vlerat perëndimore.

Madeleine Albright, 1999
Madeleine Albright, 1999

Rubin gjithashtu sqaroi se në qershor të vitit 1999, sekretarja Albright u takua me Thaçin, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen, duke i inkurajuar ata që të krijonin një strukturë të përbashkët në terren për të ndërtuar administratën civile - një hap ky që Rubin e interpretoi si një referencë të tërthortë për qeverinë e përkohshme të Kosovës.


10:07

Avokati i Thaçit: Do të kemi shans që të tregojmë të vërtetën

Pierre Richard Prosper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se sot do të ofrohet një mundësi për të zbuluar të vërtetën rreth ngjarjeve në Kosovë në vitin 1999.

Ai i bëri këto komente para fillimit të dëshmisë së parë të mbrojtjes nga James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit amerikan, i thirrur nga mbrojtja e Thaçit.

“Presidenti falënderon të gjithë për mbështetjen në këtë proces. Jemi entuziastë për sot, sepse do të na jepet mundësia që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që ta riekzaminojmë të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i një procesi ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregojnë se presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë”, tha mes tjerash Prosper për gazetarët në Hagë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
09:56

James Rubin del në bankën e dëshmitarëve

James Rubin para Dhomave të Specializuara në Hagë.
James Rubin para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, nisi pak minuta pas orës 9:00 dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit - i akuzuar për krime lufte.

Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tri ditë.

09:45

Kujtojmë se çka është Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale, u krijuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ka në përbërje gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Selia e saj u vendos në Hagë për të shmangur kërcënimin e dëshmitarëve.

Ideja për ta krijuar atë lindi pasi Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë që i bënte thirrje Kosovës të hetonte akuzat e bëra nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, i cili, në vitin 2010, i akuzoi anëtarët e UÇK-së për krime lufte dhe trafikim organesh.

Akuzat për trafikim organesh nuk janë vërtetuar dhe nuk përfshihen në aktakuzën aktuale.

Gjykata Speciale në Hagë
Gjykata Speciale në Hagë

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG