Ndërlidhjet

Kosova “ka kërkuar” nga BE-ja emisar të posaçëm për të pagjeturit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Çështja e të pagjeturve nga Kosova, e vlerësuar si më e dhimbshmja që prej përfundimit të luftës në vitin 1999, mund të hapet në bisedat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sado që ajo deri tani nuk ka arritur të bëhet pjesë e agjendës së dialogut, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Madje, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i tha Radios Evropa e Lirë se “përfaqësuesit e Kosovës kanë kërkuar shumë herë, nga BE-ja që të caktojë një emisar special, i cili do të merrej vetëm me çështjen e të pagjeturve”.

Në Kosovë, ndërkaq, shqetësimet me ngadalësinë e procesit të zbardhjes së fatit të të zhdukurve, janë rritur dhe familjet e të pagjeturve “thonë se nuk është bërë aq sa duhet për të gjetur zgjidhjen për ta”.

Më shumë se 17 vjet nga përfundimi i luftës, Milaim Makolli nga fshati Kishnicë, afro 15 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, vazhdon ende të kërkojë dy prindërit e tij, të cilët konsiderohen të zhdukur.

Makolli, i tha Radios Evropa e Lirë, se fati i personave të zhdukur mund të ketë rezultate në rast se kjo çështje do të bëhej temë e bisedave të drejtpërdrejta me Beogradin zyrtar.

"Kjo çështje është dashur të diskutohet në bisedime shumë herët. Kjo [tregon] se nuk janë të interesuar për gjetjen e personave të zhdukur. Mendoj se për interesa personale nuk po diskutohet kjo çështje, sepse është dashur shumë më herët të flitet për të. I kemi dhimbjet e mëdha", tha Makolli.

Çështja e të pagjeturve është thënë shumë herë se do të mund të ngrihet në instancat më të larta ndërkombëtare, dhe autoritetet e vendit kanë thënë se do t`i kërkojnë Bashkimit Evropian që të bëjë më shumë presion mbi Beogradin për ta zbardhur fatin e të pagjeturve.

Madje, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se kanë kërkuar nga BE-ja që çështja e të pagjeturve të bëhet pjesë e bisedave me Beogradin zyrtar për të gjetur zgjidhjen për të gjithë personave të zhdukur.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se beson futjen e kësaj çështjeje në kuadër të pjesës së dialogut, në të cilin “do të hapet problemi i reparacionit të luftës”.

"Vazhdimisht, edhe kryeministri i mëhershëm, Thaçi, dhe kryeministri i tanishëm, Mustafa, në takimet me përfaqësuesen e BE-së në atë kohë, Ashton dhe tani Mogherini, e shtrojnë kërkesën që kjo çështje të jetë në agjendën e bisedimeve. Ma merr mendja që do të fillojë edhe faza e tretë e dialogut ku ne në kuadër të temave të reparacionit të luftës, tema kryesore do të jetë çështja e të pagjeturve", theksoi Tahiri.

Për familjarët e të pagjeturve është e “pakuptueshme zvarritja e procesit të zbardhjes së fatit të të zhdukurve”, ndërkohë që Haki Kasumi, nënkryetar i Këshillit Familjar për Persona të Zhdukur në Kosovë, kjo çështje po neglizhohet edhe nga autoritetet e vendit.

"Ne konsiderojmë se është çështje e interesit politik, për të mos thënë ekskluzivisht e palës serbe, e cila është fajtore kryesore dhe e cila është adresë kryesore, që do të jepte informacion. Unë, dhe familjaret e kësaj kategorie konsiderojmë se pjesërisht fajtor është edhe pala e Kosovës. Po të ishte njëra palë këmbëngulëse dhe po të përkrahej kërkesa jonë e drejtë, sigurisht se kjo çështje do të ngrihej në nivel të lartë", tha Kasumi.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim dhe me kërkesë edhe të Shoqatave Familjare e kanë vlerësuar të nevojshme një përfshirje më aktive të Bashkimit Evropian në procesin e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur.

Përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar i thanë Radios Evropa e Lirë se është “vlerësuar se Bashkimi Evropian, përmes mekanizmave të tij, mund të ushtrojë trysni ndaj Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur”.

"Në mënyrë të veçantë, përmes hapjes së arkivave të ushtrisë dhe policisë serbe, meqë tashmë edhe është konfirmuar se në këto arkiva ka të dhëna që do të mund të ndihmonin në zgjidhjen, gjegjësisht ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave që vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë", thuhet në përgjigjen me shkrim nga kjo zyrë.

Më shumë se 1650 persona vazhdojnë të konsiderohen të pagjetur, dhe një numër bisedash të përfaqësuesve të Kosovës me përfaqësues të Beogradit, nën ndërmjetësim të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, janë zhvilluar, por pa rezultate të mëdha, thonë aktivistë për të drejtat e njeriut

Në fillim të vitit, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, pati shprehur shqetësimin për mungesën e përparimit në këtë çështje për vitin 2015 dhe njëkohësisht, vlerësojnë përfaqësues të familjeve të të pagjeturve, përparime të vogla janë bërë edhe gjatë këtij viti.(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG