Deklaratat që vijnë nga autoritetet serbe, përmes të cilave ato shprehin gatishmërinë për vlerësimin dhe kontrollimin e çdo lokacioni, për të cilin ka informata për varrezë të mundshme masive, nuk janë të sinqerta.
Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në grupin e përbashkët punues të Kosovës dhe të Serbisë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ditë më parë, Veljko Odaloviq, kryesues i delegacionit të Serbisë në grupin punues për të pagjeturit, ka theksuar se autoritetet serbe kanë plotësuar të gjitha kërkesat e palës nga Kosova për hulumtimin e varrezave të dyshuara masive, për të cilat janë dhënë informacionet.
“Deri më tash asnjë kërkesë e delegacionit të Prishtinës, për verifikimin e cilitdo lokacion, nuk ka mbetur e paplotësuar. Ne, në ndërkohë, në muajin gusht, në afërsi të Novi Pazarit kemi punuar në dy lokacione, për të cilat ata kanë kërkuar. Më herët, këtë vit, kemi kontrolluar edhe në dy lokacione në afërsi të Medvegjës. kemi punuar për kontrollimin e dy lokacioneve në Batajnicë dhe një kontroll në Petrovo Selo”, ka theksuar Odaloviq.
Por, Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se deklaratat e autoriteteve serbe, gjegjësit të Odaloviqit, më tepër janë për medie se sa të sinqerta.
“Lidhur me deklaratat e tij (Odaloviq) se nuk ka asnjë lokacion, i cili është kërkuar nga pala jonë, e nuk është vlerësuar, nuk qëndron, për arsye se pikërisht në Novi Pazar, gjegjësisht në fshatin Kozarevë, na janë ndërprerë punimet, me arsyetimin se mungon buxheti dhe se nuk ka urdhëresë gjyqësore për më tutje. Ne kërkojmë që të vlerësohet pikërisht vendi aty ku dyshohet, sepse është punuar, por jo pjesa aty ku ne mendojmë dhe dyshojmë, sipas informatave që i kemi”, tha Gjetaj.
Megjithatë, Odaloviq, pati theksuar se nga pala serbe nuk ka bllokim të procesit të kërkimit të varrezave të dyshuara masive në Serbi dhe sipas tij, një gjë e tillë nuk është në interesin e Serbisë.
“Ne nuk kemi asnjë arsye, asnjë bllokim e as një problem në këtë çështje, por vetëm na nevojitet ndihma për informacione të mira dhe ne do t’i verifikojmë ato. Nuk është interesi ynë që të mos gjenden mbetjet mortore, jo vetëm të trupave të serbëve dhe atyre joshqiptarë, por edhe të shqiptarëve“.
“Ne i jemi qasur këtij procesi pa diferencime dhe mendoj që kështu e meritojnë viktimat. Politika dhe këto tjerat, zhvillohen jashtë këtij procesi, sepse një gjë e tillë nuk do të na qonte askund”, tha Odalloviq.
Në anën tjetër, Gjetaj vlerëson se deklaratat e këtilla të Odalloviqit janë sa për ta arsyetuar mosgatishmërinë e palës serbe për të dhënë informacionet mbi varrezat masive.
“Së pari, ata nuk i kanë hapur dhe nuk i hapin arkivat. Dhe së dyti, nuk japin informacione. Prandaj, ne, prej këtu, si ta dimë se ku i kanë varrezat masive, kur ata i dinë. Ata i kanë informacionet, i kanë të dhënat dhe kanë shënime nga strukturat policore dhe ushtarake, për varrezat masive“.
“Do ta përshëndesnim gatishmërinë e tyre që ata të na tregojnë dhe të fillojnë të na ftojnë aty ku janë varrezat masive, sepse dyshohet se ka varreza masive. Do të thotë, unë e përshëndes atë që politika të jetë larg dhe jashtë kësaj çështjeje, por pikërisht këtu bëhet politikë nga pala e Beogradit”, tha Gjetaj.
Ai ka shtuar se edhe gjatë procesit të gërmimeve në Rudnicë të Rashkës, kanë hasur në probleme nga pala serbe, për shkak se disa herë janë ndërprerë dhe zvarritur punimet, deri në momentin kur bashkësia ndërkombëtare ka ushtruar presion mbi Beogradin zyrtarë.
Deri më tash aty janë gjetur mbetjet mortore të 53 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Të dhënat zyrtare, sipas Gjetajt, tregojnë që deri më sot, ende mbetet i pazbardhur fati i 1 mijë e 650 personave, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.