Ndërlidhjet

Qeveria paralajmëron nismë të re për Gjykatën Speciale


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës do t'i ri-procedojë Kuvendit amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Këtë zotim e kanë marrë përsipër kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij, Hashim Thaçi. Zotimi i krerëve të Qeverisë për ri-procedimin e amendamentit për Gjykatën Speciale, pason vendimin e Kuvendit të Kosovës kundër themelimit të kësaj gjykate.

Kryeministri Isa Mustafa ka thirrur të shtunën një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, ku ka kumtuar se do t'i rinisë angazhimet për themelimin e Gjykatës Speciale. Ai u ka bërë thirrje partive politike në pozitë e opozitë që ta miratojnë themelimin e saj.

"Qeveria e Kosovës do t'i bashkërendisë aktivitetet me Kuvendin, me partitë politike, grupet parlamentare, në mënyrë që në ditët në vijim të riprocedohet lënda, përkatësisht amendamenti për ndryshimet kushtetuese, e po ashtu të zhvillojmë kontakte e takime edhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë", ka thënë Mustafa.

Edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si jetike themelimin e Gjykatës Speciale nga ana e institucioneve vendore. Sipas tij, nëse institucionet e Kosovës e themelojnë këtë gjykatë, ajo mund të ketë një mandat deri në pesë vjet.

Kurse, në rast se kjo çështje do t'i lihej në duar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, atëherë mandati i saj mund të zgjasë deri në 20 vjet.

"Është jetike për të ardhmen tonë që bashkë me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, të themelojmë Gjykatën Speciale, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë së Kosovës që kjo çështje të kalojë në Këshillin e Sigurimit", ka deklaruar Thaçi.

Të premten, me 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime Kuvendi Kosovës nuk e ka miratuar amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte. Për themelimin e saj, nevojiteshin të paktën 80 vota të deputetëve.

Një vendim të tillë të Kuvendit, analisti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Fisnik Korenica, e cilëson si të pamatur dhe në dëm të interesave të Kosovës.

Ai ka veçuar sidomos efektet e këtij vendimi në dëmtimin e marrëdhënieve të Kosovës me Uashingtonin dhe Brukselin dhe dëmeve që i shkakton ky vendim rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

"Vota kundër Gjykatës Speciale ishte votë kundër marrëdhënieve miqësore të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

"Votimi për Specialen, në fakt, nuk është thjesht për ta themeluar apo jo një gjykatë, ngase ai është një votim për të dëshmuar që Kosova është një shtet i pavarur dhe në partneritet me shtetet më të zhvilluara të botës demokratike të hyjë në një proces, në të cilin do të përfitojë, për faktin që do ta pastrojë imazhin e dëmtuar nga një raport i dyshimtë i Këshillit të Evropës", shprehet Korenica.

Pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për të mos themeluar Gjykatën Speciale, kanë reaguar edhe disa nga përfaqësuesit diplomatik ndërkombëtar në Prishtinë. Si qëndrim i përbashkët i tyre ishte se vendimi i Kuvendit ishte zhgënjyes për vendet mike të Kosovës.

Gjykata Speciale ishte një propozim që kishte dalë në bazë të raportit të senatorit zviceran, Dick Marty i përfshirë më pas në raportin e Këshillit të Evropës ku hidheshin pretendime për krime lufte ndaj disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto pretendime u hetuan për tre vjet rresht nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare e udhëhequr nga prokurori amerikan, Clint Williamson.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG