Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës nuk themelon Gjykatën Speciale


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Me 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime Kuvendi Kosovës nuk e ka miratuar amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Për themelimin e kësaj gjykate ishin të nevojshme 80 vota të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës si dhe 14 vota nga radhët e deputetëve që përfaqësojnë pakicat.

Amandamenti kushtetues i propozuar nga Qeveria e Kosovës është vënë në votim pas debateve që zgjatën rreth 6 orë.

Ishte kryeministri Isa Mustafa ai i cili prezantoi këtë amendament duke ftuar deputetët që ta votojnë atë me arsyetimin se ai ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Marrë parasysh se është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese se ky amendament është në harmoni të plotë më Kushtetutën dhe nuk cenon parimin e ndarjes së pushteteve e në veçanti nuk cenon sovranitetin e pushtetit gjyqësor, ju ftoj të gjithë juve që ta votoni amendamentin e propozuar”, ka thënë Mustafa.

Seanca për Gjykatën Speciale u përshkua me tone të ashpra polemikash e replikash mes deputetëve në pozitë dhe atyre në opozitë.

Por, vendimtare ishin edhe votat e disa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës të cilët u deklaruan kundër themelimit të kësaj gjykate.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi ftoi deputetët që ta votojnë këtë amendament, duke thënë se edhe në momente të tilla të rënda, kur Kosova ka marrë vendime të vështira ajo ka dalë fitimtare.

“Për hir të përgjegjësive që kam kaluar për këto 16 – 17 vite në emër të Kosovës, herë me ekipet e përbashkëta e herë edhe me përgjegjësitë institucionale që i kam pas nga legjitimiteti qytetar i institucioneve tona, dua ta them atë se çdo herë që kemi marrë vendime jo të lehta, ka dalë një sukses më madhor për Kosovën”, ka theksuar Thaçi.

Një qëndrim krejt të kundërt me Hashim Thaçin ka shprehur deputeti opozitar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas tij, kjo gjykatë po tentohet të krijohet për shkak se Kosova ka liderë servil dhe të cilët punojnë vetëm për interesat e tyre të ngushta.

“Në Kosovë, këta të korruptuarit pas meje, e qe besa edhe para meje, duhen akuzuar e gjykuar si kriminel të paqes për atë çfarë i bën popullit tonë për këto 16 vjet e jo si kriminel të luftës për atë çfarë i bën Serbisë për ato 16 muaj. Shumë prej tyre e kanë vendin në burg, edhe prej deputetëve, por në burgun tonë jo në aso çfarë i propozon Serbia apo Rusia”, ka deklaruar Kurti

Polemikat e shumta janë përmbyllur me procesin e votimit. Pas hedhjes në votim, rezultati i lexua nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Konstatoj se me 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi nuk e miratoi amendamentin numër 24 në Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ky vendim i Kuvendit u prit me duartrokitje nga një pjesë e deputetëve.

Gjykata Speciale ishte një propozim që kishte dalë në bazë të raportit të senatorit zviceran, Dick Marty i përfshirë më pas në raportin e Këshillit të Evropës ku hidheshin pretendime për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat më pas u hetuan për tre vjet rresht nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare e udhëhequr nga prokurori amerikan, Clint Williamson.

Pas dështimit të Kuvendit që të themeloj këtë gjykatë, tani mbetet të shihet nëse do të realizohen paralajmërimet e përfaqësuesve ndërkombëtar se një gjë të tillë do ta bëjë vet Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG