Me 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime Kuvendi Kosovës nuk e ka miratuar amendamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte. Për themelimin e kësaj gjykate ishin të nevojshme 80 vota të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës si dhe 14 vota nga radhët e deputetëve që përfaqësojnë pakicat.
Gjykata Speciale ishte një propozim që kishte dalë në bazë të raportit të senatorit zviceran, Dick Marty i përfshirë më pas në raportin e Këshillit të Evropës ku hidheshin pretendime për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat më pas u hetuan për tre vjet rresht nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare e udhëhequr nga prokurori amerikan, Clint Williamson.
Pas dështimit të Kuvendit që të themelojë këtë gjykatë, tani mbetet të shihet nëse do të realizohen paralajmërimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë se një gjë të tillë do ta bëjë vet Këshilli i Sigurimit i Kombevbe të Bashkuara.
Seanca për Gjykatën Speciale u përshkua me tone të ashpra polemikash e replikash mes deputetëve në pozitë dhe atyre në opozitë. Por, vendimtare ishin edhe votat e disa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës të cilët u deklaruan kundër themelimit të kësaj gjykate.
Ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër mocionit të deputetit Nait Hasani nga PDK për votim të fshehtë të amendamenteve kushtetuese, të cilat do të hapnin rrugë për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.
Votimi bëhet në formë të hapur dhe elektronike mbi këto amendamente.
Kuvendi i Kosovës po diskuton formën e votimit për amendamentin kushtetues rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Aktualisht flitet për të tri format e njohura kushtetuese, votimi i hapur, elektronik apo votim i fshehtë.
Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi dhe ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti janë përfshirë në një polemikë që ka dalë jashtë kontekstit të debatit për Gjykatën Speciale.
Zoti Thaçi tha se Kurti ishte kundër shumë proceseve përfshi edhe Konferencën e Rambujesë e deri te bisedimet për statusin e Kosovës në Vjenë.
Në anën tjetër, zoti Kurti i është kundërpërgjigjur, duke thënë se suksesi i Rambujesë ishte të moszbatimi i marrëveshjes, kurse kundërshtimi i dialogut të Vjenës, me kompromiset e bëra në kurriz të statusit të Kosovës.