Ndërlidhjet

Ujësjellësi “Prishtina”: Uji është i pijshëm


Ilustrim
Ilustrim
Reduktimet e ashpra me furnizim të ujit të pijes, të cilat kanë filluar të praktikohen nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, për gati gjysmë milioni banorë të Kosovës, ka ngritur mjaft dilema te qytetarët e Kosovës për kualitetin e ujit që ata pinë.

Shumë prej tyre shprehen të shqetësuar dhe thonë se nuk janë të sigurt për kualitetin e ujit që atyre iu vjen nga kompania prej nga ata furnizohen. Disa prej tyre, tashmë nuk e përdorin për pije, por vetëm për gjëra të tjera dhe thonë se preferojnë që ujin e pijes ta blejnë.

Antigona Berisha jeton në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë. Ajo tregon se reduktimet e ujit janë të shpeshta dhe kjo, siç thotë Antigona, ka bërë që të mos ndihen të sigurt për cilësinë e ujit që deri tani e kanë shfrytëzuar për pije.

“Ujin që vjen nga Ujësjellësi Rajonal ‘Prishtina’ nuk e pimë, atë e përdorim për gjëra tjera dhe jo për pije. Ka reduktime të shpeshta dhe nuk jemi të sigurt që është kualitativ dhe i përshtatshëm për pije”, thekson ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Lumturie Zejnullahu:

“Zakonisht ujin e blejmë dhe nuk e pimë. Ka reduktim të shumta dhe uji kur të vjen, nuk duket se është i mirë për pije”.

Shqetësimet e qytetarëve i hedhin poshtë zyrtarë të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arieta Mjeku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë i siguron të gjithë konsumatorët se uji që iu shkon konsumatorëve në krojet e tyre, është 100 për qind i sigurt për pije.

“Sipas planit mujor mbi përcjelljen e kualitetit të ujit të burimeve sipërfaqësore Albanik dhe Badovc, prej të gjitha burimeve nëntokësore ne i marrim mostrat në 18 pika në aplikim të monitorimit të shpejtë dhe bazik dhe të gjitha mostrat e marra deri më tani janë pozitive. Pra, uji që iu vjen konsumatorëve në krojet e tyre, është konform standardeve dhe 100 për qind i përshtatshëm për pije”, deklaron Mjeku.

Zëdhënësja Mjeku iu bën thirrje konsumatoreve për shpenzim sa më racional të ujit të pijshëm, në mënyrë që të ruhen sadopak rezervat që ata i kanë në dispozicion.

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, që nga paslufta asnjëherë nuk ka arritur t’i furnizojë me ujë 24 orë pandërprerë konsumatorët e vet.

Reduktimet më të ashpra zakonisht kanë ndodhur gjatë muajve të verës.

Ndërsa, që nga fillimi i këtij viti, kur niveli i ujit në Liqenin e Batllavës dhe atë të Badocit, kishte rënë për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike, reduktime u ashpërsuan edhe më shumë.

Reduktimet me ujë zakonisht fillojnë nga ora 10 deri në orën 14 dhe nga ora 21:30 deri në orën 05 të mëngjesit.

Por, sipas qytetarëve shumë herë ndodh që të mos kenë ujë edhe 24 orë.
Çaush Bajrushi, njohës i problematikave të ujit, konsideron se kualitetit i ujit që aktualisht iu vjen konsumatorëve në shtëpitë e tyre, pavarësisht reduktimeve, është i pijshëm, por, sipas tij, nëse nuk do të ketë të reshura atmosferike në periudhën e ardhshme, kanoset rreziku i ndotjes së këtyre ujërave.

“Ujësjellësi ‘Prishtina’ posedon laboratorë kimikë dhe bakteriologjikë ku çdo ditë monitorohet kualiteti i ujit dhe në rast se diçka nuk është në rregull, atëherë ata patjetër duhet të ndërpresin furnizimin me ujë të pijes derisa të evitohet problemi. Aktualisht, në këtë stinë nuk ka rrezik, unë frikësohen se nuk do të ketë reshje atmosferike në periudhat e ardhshme kur të fillojë ngritja e temperaturave kanoset rreziku i ndotjes së ujërave në liqenet akumuluese Batllavë dhe Badoc”, sqaron Bajrushi.

Për qytetarët e Prishtinës, furnizim të rregullt me ujë nuk do të ketë deri në vitin 2016, kur përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj.

Kjo fabrikë pritet të ndërtohet gjatë këtij viti. Fabrika parashihet të ketë kapacitete përpunuese për fazën e parë deri në 700 litra për sekondë. Kjo sasi do të jetë e mjaftueshme për të mundësuar furnizim të rregullt për 24 orë pa ndërprerje.

Një problem i vazhdueshëm që e ka përcjellë kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, është edhe borxhi që konsumatorët i kanë kësaj kompanie.

Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në zonën e shërbimit që nga paslufta deri më tani, është mbi 51 milionë euro.
XS
SM
MD
LG