Ndërlidhjet

Puset nuk e zgjidhin problemin e ujit


Liqeni i Batllavës
Liqeni i Batllavës
Burimet e reja të ujit, të cilat ishin konsideruar nga autoritetet kompetente se do sjellin ujë të pijes, nuk rezultojnë të jenë të kënaqshme.

Për ekspertë të sektorit të ujërave këto aktivitet konsiderohen investime të kota, pasi që siç thonë vetë ata, hapja e puseve në parkun e Gërmisë në Prishtinë nuk mund të rezultojë me sasi që mund ta zgjidh problemin e ujit.

Shumë komuna të Kosovës tani dy muaj kanë hyrë në një fazë emergjente me ujë të pijes. Qytetarët e komunës së Prishtinës dhe disa komunave tjera përreth saj, po përballen me reduktime të ashpra me furnizim të ujit.

Rezervarët e ujit në Batllavë, rreth 35 kilometra në veri të Prishtinës dhe në Badovc, në lindje të saj, tashmë janë në nivel të ulët.

Skender Bublaku, ekspert i ujërave, thekson për Radion Evropa e Lirë se aktivitete e ndërmarra nga autoritetet kompetente, sa i përket furnizimit me ujë të pijes, nuk do të arrijnë të zgjidhin problemin.

“Aktivitetet së paku kanë stabilizuar opinion dhe institucionet qendrore se duhet merren me këtë problematikë, por që opinioni im bazuar në të gjitha rrethanat shkencore dhe studimet që janë kryer deri më tani në këtë regjion nuk rezultojnë me sasi që mund të zgjedhin problemin me furnizim të ujit e më së paku për burimet e gërmisë që janë shumë të limituara dhe ato janë nën ndikimin e reshjeve atmosferike dhe sidomos gjatë verës ato zvogëlohen në mënyrë minimale”, tregon Bublaku

Sasitë e ujit që mund të sjellin këto burime jenë 6 deri në 7 litra në sekondë dhe asgjë më shumë, sqaron Bublaku.

Derisa sa ju përket burimeve të ujit në lagjen Fusha e Pajtimit në Prishtinë, sipas tij, ato kanë potencial ujor deri në 50 litra në sekondë, por janë më rreziqe të mëdha për shkak të kualitetit të ujit, i cili mund të jetë i papërdorshëm për pije.

Më e drejtë, sipas Bublakut do të ishte që autoritetet e Kosovës të merren me menaxhim më të mirë të shpërndarjes së ujit sesa me hapjen e puseve.

“Aktivitetet në këtë situatë duhet të fokusohen në zvogëlimin e humbjeve ose në fillimin e mbushjes së liqenit nga sistemi ekzistues i Ujmanit, por më një kujdes të shtuar. Menaxhimi i shpërndarjes së ujti është elementi kryesor që sasitë e ujit që sot i kemi 700 litra në sekondë, të menaxhohen drejt dhe të kalohet kjo krizë pa ndonjë problem shumë të theksuar”, vlerëson Bublaku.

Sidoqoftë, kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, po vazhdon me hapjen e puseve të reja nëntokësore.

Zëdhënësja Arieta Mjeku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se janë fokusuar në ri-funksionalizimin e puseve nëntokësore, hapjen e puseve të reja dhe aftësimin e gypit për dërgimin e ujit në liqenin e Badovcit, përmes kanalit te Ibër Lepencit, ku uji do merret nga liqeni i Ujmanit.

“Që nga dita e hëne 24 shkurt deri më 28 shkurt, janë hapur gjithsej tre puse.
Pasi të përfundojë pusi i tretë, nga ana jonë do bëhet një analizë-përllogaritje e prurjeve të ujit, që të shohim se sa janë kapacitetet, por do vazhdohet edhe me hulumtime të puseve të tjera në Gërmi, duke shpresuar në kapacitete me të mëdha”
, bën të ditur Mjeku.

Me këto puse të shpuara deri më tani, me kapacitetet që mund të dalin sipas përllogaritjeve të Ujësjellësit Rajonal Prishtina, do të ndihmohet furnizimi me ujë të pijes për banorët e lagjes "Sofalia" në Prishtinë.

Derisa, për mbushjen e Liqenit të Badovcit, përmes kanalit të Ibër-Lepencit, Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina bën të ditur se së shpejti do të fillojë me ndërrimin e gypit prej 500 metra dhe deri më 20 mars do të fillohet me mbushjen e liqenit.
XS
SM
MD
LG