Ndërlidhjet

Gjenden alternativa për ujë të pijes


Liqeni artificial i Batllavës, 2014.
Liqeni artificial i Batllavës, 2014.
Rreth gjysmë milion qytetarë të komunës së Prishtinës dhe disa komunave tjera të Kosovës, vazhdojnë të përballen me reduktime të ashpra të ujit të pijshëm.
Aktualisht, për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike, shumë komuna kanë hyrë në fazë emergjente të furnizimit me ujë të pijes.

Autoritetet e Kosovës tashmë kanë filluar të punojnë intensivisht në gjetjen e alternativave për burime të reja të ujit, pasi që në të kundërtën, siç thonë vetë ata, Kosovën mund ta prekë një krizë edhe më e madhe e mungesës së ujit.

Nga java e ardhshme, kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, do të fillojë shpimin e puseve të reja në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, dhe po ashtu është duke punuar për riparimin e gypit prej shtatë kilometrash nga Çagllavica deri te penda e Badovcit.

Kjo ndërhyrje që është duke u bërë, tregon për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, do të mundësojë që brenda 15 ditëve të fillohet me mbushjen e Liqenit të Badovcit, përmes kanalit të Ibër-Lepencit, ku uji fillestar merret nga Liqeni i Ujmanit.

“Ne po mundohem që përmes alternativave për burime të reja të ujit, në një të ardhme të afërt, t’iu mundësojmë qytetarëve që të kenë ujë, ndoshta jo 24 orë pa ndërprerë, por së paku që të kenë me këto reduktime që i kanë në mënyrë që reduktimet të mos ashpërsohen. Fillimisht, kemi 50 litra ujë në sekondë nga burimet e ujit që janë rifunksionalizuar në fshatin Llukar dhe ajo do t’u mundësojë një pjese të qytetarëve një furnizim të mirë me ujë të pijes”, tregon Mjeku.

Ndërsa, sa i përket reduktimeve që janë duke u bërë, Mjeku thotë se këto reduktime mundësojnë që rezervat e ujit që kanë qenë vetëm edhe për tre muajt e ardhëm, të shtyhen deri në gjashtë muaj.

Të gjitha këto iniciativa të ndërmarra, vlerëson Arieta Mjeku, do t’iu mundësojnë qytetarëve një furnizim më të mirë me ujë të pijes, por jo 24 orë pandërprerë.

Për qytetarët e Prishtinës, ujë 24 orë do të ketë vetëm kur përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj, fabrikë kjo e cila pritet të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti, ndërsa do të përfundojë në vitin 2016.

Në kohën kur Kosova kishte hyrë në fazë emergjente me ujë të pijes, Komuna e Prishtinës kishte nxjerrë një urdhëresë, e cila ndalonte keqpërdorimin e ujit të pijes.

Deri më tani, Drejtoria e Inspeksionit ka dërguar në gjykatë nëntë lëndë për keqpërdorim të ujit.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se lëndët e proceduara në gjykatë kanë të bëjnë me persona juridikë, të cilët kanë përdorur ujin e pijes për larjen e veturave.

Ndërkaq, sa i përket alternativave për burime të reja të ujit, Tahiri thekson se ka alternativa për burime të reja të ujit të pijes.

“Ne mendojmë që përmes këtyre puseve dhe përmes investimeve të nevojshme që duhet të bëhen në lumin e Kaçandollit, me mbushjen e Liqenit të Badovcit nga Ibër-Lepenci dhe investimeve prej 17 milionë eurosh në rrjetin e Prishtinës, brenda 24 muajve do të ketë ujë 24 për pandërprerë”, vlerëson Tahiri.

Rezervarët e ujit në Batllavë, rreth 35 kilometra në veri të Prishtinës dhe në Badovc, në lindje të saj, tashmë janë në nivel të ulët.

Liqeni i Batllavës përmes një aksioni të ndërmarrë nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, do të fillojë të pastrohet nga dita e nesërme.
XS
SM
MD
LG