Ndërlidhjet

Shqipëri: Politikë e paparashikuar


Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë
Kalimi i LSI-së në opozitë, prodhoi një proces zinxhir siç është prishja e beftë e balancës politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Partia Demokratike nisi procedurën e shkarkimit të anëtarit të LSI-së nga ky institucion, me pretekstin se e kishte fituar në pozitën e të qenët forcë e dytë e mazhorancës qeverisëse.

Analisti Henri Çili, thotë se mazhoranca duhet t’i shkojë deri në fund iniciativës për shkarkim të anëtarit të LSI-së në Komisonin Qendror Zgjedhor.

"Jo vetëm që pres, por duhet, për interesin publik dhe për ekuilibrin e jetës sonë politike dhe të procesit zgjedhor, që kjo të ndodhë. Pra, që në KQZ të ruhet parimi bazë i ndërtimit të infrastrukturës sonë zgjedhore prej 10 vjetësh, parimi i balancimit politik pozitë-opozitë", thotë Cili.

Shtatë anëtarët e KQZ-së zgjidhen me propozim të partive, por pasi mandatohen, ata duhet të funksionojnë të pavarur nga propozuesit, siç e përcakton Ligji zgjedhor.

Këtë opozita e përdor si argument për t’i kërkuar mazhorancës të mos ndërhyjë në një institucion të pavarur. Analisti Lutfi Dervishi thotë se qasja e mazhorancës është moralo- politike, por aspak ligjore.

"Mazhoranca nuk është afër qasjes ligjore, qasje ligjore është ajo e opozitës. Legjislatorët nuk e kanë parashikuar një situatë të tillë, kështu që ndodhemi në një situatë, të themi paradoksale, ku opozita është befas shumicë, në të gjithë piramidën zgjedhore", shprehet Dervishi.

Njësoj mendon dhe analisti Aleksandër Çipa:

"Në kushtet kur mandati i një anëtari të KQZ-së përcaktohet nga Parlamenti dhe votohet prej tij, nuk mund të transformohet dhe aq më tepër të kryejë rolin e ambulantit, për shkak të lëvizjes partiake në koalicionet e Qeverisë".
Legjislacioni ka një tipar të kësaj natyre kur ai nuk është shprehimisht ndalues, është lejues...

Por, analisti Çili thotë se Ligji zgjedhor nuk e pengon aspak mazhorancës të rikthejë institucionin qendror zgjedhor në frymën që vetë ai propozon, të balancës politike.

"Legjislacioni ka një tipar të kësaj natyre kur ai nuk është shprehimisht ndalues, është lejues, ndërkohë që fryma e precedentëve dhe fryma e vetë Kodit zgjedhor është e tillë, pra balancim politik pozitë-opozitë", thekson Çili.

Deri tani asnjë palë nuk ka dhënë sinjale për kompromis me gjithë reagimin ndërkombëtar. Çipa thotë se veprimi i njëanshëm i mazhorancës mund të rrezikojë shumëçka.

"Nëse Partia Demokratike do të lozë me kartën e faktit të kryer, atëherë spektri opozitar do ta potencojë reagimin politikisht, që do të thotë pse jo dhe në një mënyrë populiste të reagimit deri në pikëpamjen e ndërkombëtarizimit të saj. Si kurrë ndonjëherë, në dy ditët e para të lindjes së kësaj krize për anëtarin e KQZ-zë, faktori ndërkombëtar reagoi në mënyrë të prerë dhe shumë të adresuar", shprehet Çipa.

Ndërkaq, Çili thotë se deklaratat e ndërkombëtarëve nuk prodhuan zgjidhje, por provuan se ishin shterpë:

"Pse ishin shterpë?! Pasi kërkonin dialog dhe mirëkuptim, ndërkohë që ka një mirëkuptim bazik në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Institucionet zgjedhore në Shqipëri janë ndërtuar mbi bazën e propozimeve partiake të balancuara - është tjetër gjë që ata pastaj zbatojnë ligjin. Jashtë këtij kuptimi nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri".

"Në qoftë se opozita kontrollon aparatin zgjedhor në Shqipëri, ky është uzurpim dhe ky është bllokimi i vërtetë i zgjedhjeve, për të cilën gjë ka interes të rëndësishëm të mos ndodhë jo vetëm shoqëria shqiptare, por dhe komuniteti ndërkombëtar".


Të hënën, në Kuvend mund të ndodhë asgjë dhe gjithçka. Siç thotë analisti Dervishi, politika në Tiranë është shpesh e paparashikuar. Por, sipas tij, një gjë është e sigurt, partitë po vuajnë pasojat e asaj që kanë krijuar vetë në ligj.

"Ne paguajmë faturën e kontrollit politik të sistemit zgjedhor. Në një farë mënyre, hartuesit e Kodit zgjedhor po provojnë ilaçin që kanë prodhuar me duart e tyre", vlerëson Dervishi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG