Ndërlidhjet

Mandatet e deputetëve ndezin debatin në Shqipëri


Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë
Ndarja e mandateve të deputetëve për çdo zonë zgjedhore ka ndezur debat të ashpër politik në Shqipëri.

Opozita ka dalë në konkluzionin se zgjedhjet e 2013, rrezikojnë seriozisht standardet. Referuar një vendimi më të fundit të komisionit parlamentar të ligjeve mbi mandatet, sekretari për zgjedhjet në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, thotë se produkti është antikushtetues.

"Ajo shpërndarje është një produkt ilegal, i kontestueshëm, antikushtetues nga çdo palë, në çdo kohë”, thotë Gjiknuri.

Debati ka lindur prej nëntorit të vitit që lamë pas, kur anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk votuan projekt/vendimin që parashikonte një skemë të re të shpërndarjes së mandateve, ndryshe nga ajo që u zbatua në zgjedhjet e përgjithshme pararendëse, ato të vitit 2009, me pretendimin se duheshin verifikuar paraprakisht të dhënat që referonte Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

KQZ bazohet në këto të dhëna, për të përllogaritur mandatet dhe pasi e mbyll këtë procedurë jo më vonë se 15 ditë nga marrja e këtyre të dhënave, ia dërgon menjëherë Kuvendit për miratim, parashikuar kjo në nenin 76 të kodit zgjedhor.

Por vendimmarrja në KQZ lidhur me mandatet nuk mori shumicën e cilësuar nga ligji. Këtu lindi debati nëse çështja duhet të mbetej ende aty për zgjidhje apo duhej vënë në lëvizje Kuvendi.

Mazhoranca mbështeti argumentimin se KQZ e tejkaloi afatin ligjor dhe pa produkt, për të zgjidhur atë çka kishte kompetencë lidhur me mandatet dhe se për këtë arsye zgjidhjen përfundimtare duhet ta japë Kuvendi. Mazhoranca e sheh Kuvendin me rol kryesor në përcaktimin e mandateve dhe KQZ me rol propozues.

Opozita kundërshtoi duke theksuar se Kuvendi nuk mund të ndërhyjë pa u një vendimmarrje në KQZ. Megjithatë legjislativi u vu në lëvizje. Shpërndarja e mandateve u fut në kalendarin e punimeve tre javore dhe sot komisioni i ligjeve ka një skemë të shpërndarjes së mandateve që pritet të votohet në Kuvend.

Ilir Rusmali kryetar i komisionit të ligjeve përfaqësues i Partisë Demokratike thotë i bindur se Kuvendi ka respektuar ligjin.

"Procesi është i tëri ligjor, nuk është emocional. Proces ligjor do të thotë, shfrytëzohen instrumentet ligjore për zgjidhjen e çështjeve ligjore dhe ndiqen rrugët ligjore kur je i pakënaqur. Dhe rrugë ligjore nuk është të keqpërdorësh dy apo tre anëtarë të KQZ-së. Rrugë ligjore është që të shohësh cilat janë mjetet që të jep kushtetuta për të kontestuar vendimet e Kuvendit. Çdo gjë tjetër është retorikë”, thotë Rusmali.

Por opozita nuk kundërshton vetëm momentin e parakohshëm të përfshirjes sipas saj në proces, të Kuvendit por dhe skemën që miratoi komisioni i ligjeve që është në fakt e njëjtë me skemën e shpërndarjes së mandateve të vitit 2009.

Gjiknuri thotë se vendimi ka shkelur edhe parimin e barazisë së votës.

Janë tre aktorë në lojë. Ministria e Brendshme që jep popullatën, aktori i dytë është KQZ-ja që bën llogaritë dhe shpërndarjen e mandateve dhe Kuvendi i Shqipërisë që vetëm i miraton mandatet. Në këtë rast po kapërcehet hallka e dytë që është KQZ-ja dhe Kuvendi me vullnetin e tij, në mënyrë krejt të paligjshme dhe pa asnjë lloj ekzigjence(ngutje) kohore, po fut duart në një proces që nuk i takon ta kryejë. Madje po bën një ndarje mandatesh sipas interesit politik të çastit, pa respektuar asnjë kriter ligjor e numerik, që reflekton barazinë e përfaqësimit të qytetarëve shqiptar”, thekson Gjiknuri.

Rusmali thotë se Kuvendi nuk mund të marrë në asnjë rast një kompetencë që ligji ja njeh KQZ-së, atë të përllogaritjes sipas një formule aritmetikore të shpërndarjes së mandateve. Rusmali thotë se Kuvendi bëri atë çfarë i takon, në respekt të plotë të ligjit.

"Vendimi që ne morëm është në përputhje me parimin e barazisë së votës. Vendimi që ne morëm është në përputhje me përcaktimet e kodit aktual zgjedhor për mënyrën sesi procedohet për ndarjen e mandateve. Vendimi që ne morëm për fat të keq nuk reflekton statistikën e regjistrit të gjendjes civile të 7 nëntorit të vitit 2012 për shkak se dy anëtarë të propozuar nga opozita në KQZ vendosën me diktat dhe dhunë të panatyrshme ta bllokonin procesin aty. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund ta pranojë as diktatin, as dhunën. Kuvendi i Shqipërisë ka bërë me seriozitetin maksimal ndarjen dhe e ka bërë në përputhje me kompetencën e plotë të tij”, shprehet Rusmali.

Por çështja nuk përfundon këtu. Edhe pse Kuvendi është përfshirë në procedurën e shpërndarjes së mandateve, anëtarët në KQZ-së të zgjedhur nga opozita i kërkuan nëpërmjet një letre KQZ-së, të rimarrë edhe një herë për zgjidhje çështjen e shpërndarjes së mandateve. Kjo për Rusmalin është e kundërligjshme.

Sot parlamenti është i gatshëm dhe i vullnetshëm që brenda afateve të mund të trajtojë dhe t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes. Çdo veprim tjetër jo vetëm që është absurd nga cdo lloj pikëpamje por është edhe i kundërligjshëm", thotë ai.

Me shumë gjasë çështja e shpërndarjes së mandatave do të kalojë në Kuvend për zgjidhje përfundimtare javën që vjen.

Mazhoranca duket e vendosur për ta votuar dhe aspak për rikthim të procesit në KQZ. Opozita nga ana tjetër nuk ka përcaktuar ende ndonjë hap të ri për të kundërshtuar këtë vendimmarrje të mundshme të Kuvendit.

Gjiknuri thotë se akoma nuk është konsideruar opsioni për ankimimit në gjykatë kushtetuese.

"E para njëherë kur të vijë ky moment. Të shohim sesa do të vazhdojë maxhoranca në këtë rrugë unilaterale por unë e thashë dhe po e përsëris edhe njëherë. Kemi të bëjmë me zgjedhje jokushtetuese në kundërshtim me çdo standard. Turpi dhe njolla historike do t’i mbetet atyre që nuk përfillën as standarde, as ligj, as kod dhe që nuk do të jap asnjë rezultat në fund", thekson Gjiknuri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG