Ndërlidhjet

Shqipëri: Paqja e brishtë politike


Tirana (Foto arkiv)
Tirana (Foto arkiv)
Analistët nuk shohin asnjë surprizë te rikthimi i debatit politik, intensiteti i të cilit mund dhe të prishë marrëveshjen politike të arritur në nëntor të vitit që shkoi.

E ngjizur më shumë, falë presionit ndërkombëtar, vazhdimi ishte i parashikueshëm. Siç thotë analisti Andi Busha, që herët, u pa se palët nuk patën vullnet për një marrëveshje të plotë.

"Një marrëveshje, e cila dukej sikur po ngjizej pa vullnet të mirë, në kohë të gjatë, nuk mund të ketë një përfundim të mirë. Ne, herë pas here, do të gjejmë të çara, do të gjejmë akuza midis palëve, jo për të zgjidhur çështje, por gjithnjë me të njëjtin sens - që tjetri është fajtor që gjëja nuk funksionon”, thotë Bushati.

Edhe analistja Ilva Tare mendon se mirëkuptimi për hir të presionit ndërkombëtar nuk do të ishte jetëgjatë.

"Ajo që nuk po funksionon akoma është vetëdijesimi ose ndërgjegjësimi, se të dy palët e mëdha, duhet të bashkohen për ta bërë këtë, jo sepse ju duhet statusi. Duhet të ndodhë, sepse është në të mirën e shqiptarëve! Kjo gjë duket që nuk është ende kaq e qartë, e për pasojë kemi të tilla paqe të përkohshme, që vijnë si pasojë e presionit dhe jo si pasojë e mirëkuptimit për të bërë reforma”, shprehet Tare.

Duke lexuar përtej qëndrimit publik të palëve analisti Bushati thotë se statusi i Shqipërisë si vend kandidat për në BE, ndodhet përballë një rreziku serioz.

"Asnjëra nga palët nuk e do realisht apo nuk punon realisht për të shkuar drejt statusit të vendit kandidat. Mendoni çfarë bëri Partia Socialiste dhe Edi Rama pas vitit 2009! Bënë gjithçka që për interesa lokale të partisë së tyre, të shkatërronin rrugën e Shqipërisë drejt statusit. Mendoni ç’po bën qeverisja e Berishës dhe mazhoranca, të paktën për një vit e gjysmë me radhë, problemet me drejtësinë, problemet me mospërmbushjen e rekomandimeve. Të gjitha këto tregojnë se në mos ka një vullnet për ta pengua, ka një moskokëçarje për ta çuar përpara statusin”, vlerëson Bushati.

Palët politike, sipas Tares, më shumë se statusit si “trofe” për t’u fituar, duhet t’u mëshojnë standardeve.

"Gjatë një interviste që kam bërë me Milo Gjukanoviq, ish-president i Malit të Zi, më bëri përshtypje mënyra se si ai e perifrazoi integrimin. Sipas tij, nuk ka rëndësi as data, as viti, as muaji se kur jepet statusi, kur mbyllen negociatat, kur bëhesh anëtar; rëndësi ka se sa qytetari dhe standardet janë evropianë. Dhe, derisa ne nuk e kemi arritur këtë pjekuri për të pasur këtë sjellje politike, besoj se Shqipëria do të vazhdojë të vuajë dhe vuajtja më e madhe nuk është thjesht mungesa e statusit, por është mungesa e standardeve brenda vendit”, thekson Tare.

Analistët shp[rehen qartë se debati në këtë periudhe, ka lidhjen e tij të pashmangshme me zgjedhjen e presidentit në verën e këtij viti. Mazhoranca këmbëngul në një proces sipas Kushtetutës, ndërsa opozita synon konsesusin.

Me ndryshimet që i bënë Kushtetutës më 2008, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste ranë dakord që në dy raundet e fundit presidenti të zgjidhet me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të Kuvendit.

Analistja Tare mbështet arsyetimin se kjo mënyrë zgjedhjeje do të shkatërronte mekanizmin, mbi të cilin funksionojnë institucionet kushtetuese.

"Ndryshimet më 2008 prodhuan krizën e zgjedhjes së presidentit. Krizën varet nga cili këndvështrim e sheh, sepse mazhoranca ka pas ligjin themeltar të shtetit që është Kushtetuta, e cila e lejon të zgjedhë edhe me 71 vota në raundin e katërt. Problemi është në kushtet aktuale, në kushtet kur çdo vend demokratik e ka të nevojshëm sistemin politik të ‘check and balance’. Duket se opozita do t’i përdorë të gjitha armët e saj që të mos e lejojë që kjo të ndodhë, pra të mos kemi një president me 71 vota, që do të thotë me pak fjalë një president të mazhorancës pasi do të prishte këtë raport të ‘check and balance’ ”, sqaron Tare.

Për analistin Bushati është i paarsyeshëm pretendimi i opozitës për president konsesual.

"Nuk mendoj se opozita ka sot të drejtën të pretendojë një president konsensual, kur jo më shumë se dy vjet e gjysmë më parë, e prishi vetë marrëveshjen që i detyronte palët, të shkonin drejt një presidenti konsensual. Padyshim që tensioni politik i momentit varet dhe nga zgjedhja e presidentit të ardhshëm që nuk është vetëm zgjedhja e një presidenti, por është mënyra se si ne do të shohim të ndërtuar shtetin e së nesërmes”, potencon Bushati.

Ditët e fundit marrëveshja politike u vu në rrezik serioz. Megjithatë, ajo ende funksionon. Analistët e koniderojnë zgjedhjen e presidentit si një tjetër periudhë debati të ashpër politik, por dhe testi mbi funksionimin e mëtejmë të marrëveshjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG