Qytetarët votojnë edhe në Zveçan
Në komunën e Zveçanit, në veri të Kosovës, qytetarët po votojnë në zgjedhjet lokale.
Një prej tyre, Stanija Jevtiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pret ndryshime pozitive dhe që serbët të rikthehen në udhëheqjen e komunës.
Ajo shtoi se largimi i serbëve nga institucionet, në nëntor të vitit 2022, ishte një gabim.
Në këtë komunë, në maj të vitit 2023, ndodhi një përplasje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, pasi kryetari shqiptar u vendos në objektin e komunës.
Gjatë atyre përleshjeve u plagosën dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s.
Votimi vazhdon...
Qytetarët me të drejtë vote mund të votojnë deri në orën 19:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka paralajmëruar se rezultatet e zgjedhjeve do të publikohen brenda 48 orëve pas mbylljes së votimit.
Në komunat ku asnjë kandidat për kryetar nuk merr më shumë se 50% të votave, do të organizohet rundi i dytë më 9 nëntor.
Ndërkohë, jemi në pritje të konferencës së radhës së KQZ-së, ku do të njoftohet për pjesëmarrjen në votime deri në orën 11:00.
Vazhdoni të ndiqni Radion Evropa e Lirë për të qenë të informuar mbi zhvillimet e procesit zgjedhor.
Pjesëmarrja deri në orën 11 në zgjedhjet lokale 7.84%, pa parregullsi të raportuara
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 7.84 për qind.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se nuk është raportuar për ndonjë parregullsi që mund të rrezikonte votimin ose mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Për krahasim, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, pjesëmarrja deri në të njëjtën orë ishte 8.2 për qind.